A duhet që profesionistët dhe intelektualët të punojnë përtej moshës së pensionit ?

5 months ago 23

Profesori i fakultetit të ekonomisë Sherif Bundo, është i mendimit që qeveria të aplikojë skema, ku individët profesionistë të punojnë përtej moshës së pensionit. Ideja është që të aplikohen skema ku të përfshihen ata profesionistë në projekte që financohen nga shteti, kundrejt një pagese, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, aty ku ka më shumë mangësi. I ftuar në emisionin E-ZONE në Vizion Plus Bundo tha se një praktikë të tillë e aplikon Holanda, ndërsa në vendin tonë do të plotësonte boshllëkun e krijuar nga emigrimi.

“Shtresa e mesme, intelektualët, të shkolluarit kur janë në prag të daljes në pension, qeveria të aplikojë politika për t’i angazhuar në punë, madje t’ju garantojë një pagë, sepse në këtë mënyrë plotëson mungesat e tregut të punës, një hendek që është krijuar vitet e fundit. Ata që kanë mundësi, të përfshihen në çdo sektorë të ekonomisë ku e gjejnë veten, por dhe ku ka më shumë mangësi. Po flasim për forca të kualifikuara pune. Një skemë të tillë e aplikon Holanda, thjesht për të mos “lëshuar” nga puna profesionistët, për ata që sapo kanë dalë në pension”, tha Bundo. 

Kostoja e jetesës është një nga faktorët që shumë individë marrin vendimin për të emigruar, ndaj dhe për profesorin Bundo, qeveria është e vonuar për të miratuar minimumin jetik. Ky tregues sipas tij është bazë për të përcaktuar pagën minimale, atë mesatare, pensionin minimal dhe çdo mbështetje tjetër që i duhet një qytetari për të mbijetuar./vizionplus.tv

Read Entire Article