Atalanta “fundos” Milanin, kuqezinjte jashtë garës për titull, Inter mund Parmën

1 month ago 22

Fate të kundërta për Milanin dhe Interin në javën e 15 të kampionatit italian.

Kuqezinjtë u mundën në duelin e fortë të Bergamos nga Atalanta, ndërsa Interi nuk la pikë kundër Parmës në San Siro.

Vëmendja më e madhe ishte në derbin Lombard, aty ku skuadra e Berat Gjimshitit siguroi fitoren e 9 radhazi në të gjitha kompeticionet duke konfirmuar momentin e artë të sezonit.

Duel i fortë në Bergamo, që u zhbllokua në pjesën e parë përmes De Ketelar, episod që solli protesta të mëdha nga Milani për një faull nga kërcimi me kokë të futbollistit belg.

Reagimi i miqve ishte i fortë dhe pas një shpërthimi të Leaos, ishte Morata që barazoi shifrat. Në pjesën e dytë Atalanta shtoi ritmin dhe u bë më kërcënuese, duke krijuar disa raste me Lukman.

Ishte ky i fundit gjithsesi që falë një shpërqendrimi në mbrojtje të Milanit shënoi me kokë golin e suksesit të Atalantes. Skuadra e Gasperinit ngjitet me 34 pikë përkohësisht në vendin e parë, në pritje të Napolit që luan në shtëpi të dielën kundër Lacios.

Ndjek nga afër kreun Interi që u ngjit në 31 pikë, pasi mundi në shtëpi Parmën 3 me 1.

Ndryshe nga sa tregon rezultati ishte një ndeshje shumë më impenjative për Zikaltërit, sidomos në pjesën e parë, kur pas një nisje të mirë të Interit dhe një shtylle të Dumfris, skuadra mike  kërcënoi seriozisht portën e Jan Zomer me 2-3 raste të shkëlqyera.

Megjithatë për të zhbllokuar shifrat mendoi Dimarko me një gol shumë të bukur në minutën e 40.

Në nisje të pjesës së dytë ishte Barela që i dërgoi shifrat në 2 me 0 dhe pak më vonë Markus Turam e mbylli ndeshjen përpara kohe.

Në minutën e 81 autogoli i Darmian i dha mundësi Parmes të shënonte golin e nderit, por pa cenuar suksesin e skuadrës së Simone Inzagit. Inter shkon e qetë në duelin e së martës në Champions kundër Leverkusen.

Read Entire Article