Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha ka arritur sërish një rekord, ku kësaj radhe ka arritur shifrën e 14 miliardë dëgjimeve në Spotify, platforma muzikore më e madhe në botë.
Kjo u zbulua nga vetë këngëtarja përmes një njoftimi në InstaStory.
“Bebe Rexha ka tejkaluar shifrën e 14 miliardë dëgjimeve nga të gjitha këngët e saj. Ajo është artistja e 23-të femër më e dëgjuar në këtë platformë”, shkruante artistja në postim.
Bebe Rexha, e cila rrjedh nga një familje shqiptare nga Maqedonia e Veriut, është në qendër të vëmendjes të industrisë së muzikës që nga debutimi i saj i parë në skenën botërore. Me një zë unik dhe talent në shkrimin e këngëve, ajo ka sjellë hite që kanë pushtuar listat muzikore botërore.
Disa nga këngët e saj më të famshme janë “I’m Good (Blue)”, “Me, Myself and I”, “Meant To Be”, dhe “I’m A Mess”, të cilat jo vetëm që e kanë bërë një emër të njohur në muzikë, por gjithashtu kanë kontribuar në një numër të jashtëzakonshëm dëgjimesh.
Ky sukses i fundit në Spotify e vendos Rexhën në një kategori të veçantë artistesh femra, duke i dhënë një vend të merituar mes 23 vajzave më të dëgjuara në këtë platformë. Suksesi i saj është dëshmi e një karriere që vazhdon të lulëzojë dhe të zgjerojë rrugëtimin e saj artistik në botë.