Lideri i opozitës, Sali Berisha, nisi fushatën elektorale nga bastioni i demokratëve, Shkodra.
Berisha prezantoi kandidatët e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, duke paralajmëruar se më 11 maj Partia Demokratike do të fitojë besimin e qytetarëve për të krijuar qeverinë e re të Shqipërisë.
“Këtu në Shkodër nisi epoka e demokracisë dhe shembja e diktaturës komuniste, ndaj dhe unë zgjodha Shkodrën për të nisur betejën për shembjen e diktaturës së dytë”, tha Berisha.
Berisha kërkoi sot votën e shkodranëve me sloganet e fushatës amerikane; “Të pastrojmë shtëpinë tonë” dhe “Make Albania Great Again”, e cila është shndërruar edhe në sloganin kryesor të fushatës së PD, “Shqipëria Madhështore”.
“Shqipëria Madhështore nuk bëhet pa ardhur edhe Zoti në shtëpinë tonë. Dhe Zoti vjen vetëm kur të pastrojmë shtëpinë ne. Ndaj dhe pastrimi i shtëpisë sonë, pastrimi i Shkodrës, pastrimi i Shqipërisë është zotimi ynë solemn për Shqipërinë Madhështore”, deklaroi Berisha.
Kryetari i PD, Berisha, sulmoi drejtuesin politik të Partisë Socialiste në Shkodër, kryebashkiakun Benet Beci, të cilin në vitin 2013 ai e kishte kandidat për deputet në listat e PD.
“Sonte mendo mirë që nesër të japësh dorëheqjen. Se unë, Sali Berisha, do t’i them Shkodrës të gjithë të vërtetat që ti ke në shpirtin tënd të zi. Ti je një Lal Vjedhës, kopja e tij”, u shpreh kryedemokrati.
Por Sali Berisha sulmoi në Shkodër edhe Lulzim Bashën.
“Tani dy fjalë për ata ish-pro amerikanët e mi. Ramiz, Fatmir, etj., hiqni tani, e morët vesh se ku shkoi Donaldi, po po, shkon edhe Kimi, mos vazhdoni gënjeshtrën e Lulzim Bashës se nuk ka gjë më turp se t’u gënjejë Lul Basha nga mëngjesi gjer në darkë”, tha ai.
Berisha u bëri apel shkodranëve të mos votojnë Lulzim Bashën, pasi çdo votë për të është votë për kryesocialistin Edi Rama.
/vizionplus.tv