Atletiko Bilbao konfirmohet skuadër e kupës së mbretit në Spanjë.
Baskët mundën Barcelonën 4 me 2 pas një ndeshje spektakolare e cila zgjati 120 minuta.
Skuadra e Xavit u dorëzua para dy vëllezërve Injaki dhe Niko Williams, të cilët vendosën kualifikimin e Bilbaos për në gjysmëfinalen e kupës, me golat e shënuar në shtesa.
Nisje shokuese e ndeshjes për katalanasit që u gjenden në disavantazh pas vetëm 36 sekondash loje falë golit të shënuar nga Guruzeta.
E megjithatë Barcelona gjen forca për të bërë një përmbysje të bukur në pjesën e parë. Levandovski fillimisht në minutën e 26 barazon shifrat dhe 6 minuta më vonë talenti katalanas, 16-vjeçari Lamine Xhamal me një aksion të bukur personal shënon edhe golin e dytë.
Nisja e pjesës së dytë ishte fotokopje e së parës për Bilbaon që arrin të barazojë shifrat falë një goli me kokë të Sancet.
Niko Willimas , lojtar kombëtares spanjolle ishte i papërmbajtshëm tek vendasit, të cilët ushtrojnë presion për të fituar takimin, ndonëse rastin më të mirë deri në fund e krijojnë katalanasit, por adoleshenti Xhamal gabon një rast të pabesueshëm.
Ndeshja shkon në shtesë dhe aty hero për baskët bëhet Inaki Willimas, vëllai i Niko Wllimas i cili ndryshe nga vëllai i tij ka zgjedhur të luajë për Ganen.
I kthyer pikërisht nga Kupa e Afrikës pak para kësaj sfide, ai shënon golin e tretë për Bilbaon në minutën e 106, ndërsa në frymën e fundit vëllai i tij Niko shënon edhe golin e katërt duke i dhënë jetë një feste të madhe në San Mames.
Bilbao ecën përpara në një trofe të cilin e ka fituar 23 herë. Në gjysmëfinale u kualifikua edhe Majorka që eliminoi kryesuesit e La Ligës, befasinë Girona. Skuadra e Muriqit shkoi deri në shifrat 3 me 0 falë Larin dhe dygolëshit të Abdon Prats.
Stuani e Savio provuan të kthenin ndeshjen, por kjo nuk mjaftoi./vizionplus.tv