Biznesi: Jemi në krizë për punëtorë, Dhoma Gjermane e Tregtisë kërkon kushte më të mira për investitorët

5 months ago 18

Pas paralajmërimeve të dhëna për disa vite me radhë, bizneset po konfirmojnë se mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një shqetësim real që po pengon zhvillimin ekonomik.

Në një anketë të zhvilluar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, ky tregues mban vendin kryesor të rreziqeve për bizneset, duke lënë pas edhe korrupsionin, transparencën e tenderave publikë dhe sigurinë ligjore, që ndër vite kanë qenë shqetësimet kryesore për ta.

“Pritshmëritë e kompanive anëtare mbeten përgjithësisht të qëndrueshme, por mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore dhe rritja e kostove të punës mbeten shqetësime kryesore për biznesin. Megjithatë, pavarësisht sfidave rajonale dhe globale, vendi duhet të vazhdojë të fokusohet tek integrimi në Bashkimin Evropian”, tha Stephanie Sief-Farka, Presidente e shoqatës gjermane të industrisë dhe tregtisë.

Veç fuqisë punëtore, sfidë për t’u adresuar për ambasadorin gjerman mbetet përmirësimi i klimës së të bërit biznes në Shqipëri, duke luftuar korrupsionin e informalitetin.

“Për të rritur atraksionin e Shqipërisë si vend për investime ekonomike edhe nga Gjermania, nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga të gjitha palët në krijimin e një klime pozitive investimi si edhe sigurimin e një fushe loje të barabartë për investitorët”, tha Karl Begner, Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

Shoqata Gjermane kundërshtoi edhe një herë nismën e qeverisë për të shkrirë 180 dhomat e biznesit në një Dhomë Unike Ekonomike Kombëtare./vizionplus.tv/

Read Entire Article