Partia Demokratike vendos të kthehet në parlament për të marrë pjesë në diskutimin e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm. Në mbledhjen e grupit parlamentar, ligjvënësit demokratë ranë dakord që nga nesër deri në 3 dhjetor opozita të fokusohet tek diskutimet për projektbuxhetin në komisione dhe në seancë plenare
“Deputetët do të jenë secili sipas Komisioneve për të bërë detyrën e tyre për ti shpjeguar shqiptarëve se çfarë buxheti ka sjellë Rama dhe kush janë propozimet”, tha Bardhi.
Por Bardhi ka sqaruar se kjo lëvizje politike nuk shënon fundin e mosbindjes civile. Sipas Bardhit opozita vazhdon të jetë në mosbindje civile deri në realizimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme
“Ne nuk kemi ikur ndonjëherë nga Parlamenti. Deputetët e opozitës do të jenë në përballje në çdo front, brenda Parlamentit, në rrugë me qytetarët, nuk nënkupton që duhet të ikim nga përballja në Kuvend”, tha ai.
Partia Demokratike ka vendosur që i gjithë grupi parlamentar, përfshi 23 deputetët që janë të përjashtuar të shkojnë nesër në komisione. Dhe në këtë situatë mesazhi i kryetarit të grupit ka qenë për ambasadorin e BE Gonzato, i cili gjatë ditëve të fundit ka deklaruar se opozita duhet të kthehet në kuvend
“Është vendimmarrje e Ramës për të nxjerrë nga Kuvendi opozitën ndaj ata që deri dje i bënin thirrje opozitës të jenë brenda Parlamentit, uroj shumë që të gjejnë guximin dhe ti bëjnë thirrje Edi Ramës të lejojnë opozitën e vendit, të bëjë detyrën e përgjegjësinë e vendit. Rama është frikacak, nuk e do opozitën në Kuvend. Cilido që është këtu për t’i shërbyer interesit europian të Shqipërisë duhet tu thotë shqiptarëve të vërtetën”, u shpreh Bardhi.
Prej 27 shtatorit, ditës kur u arrestua ish-deputeti Ervin Salianji opozita nisi mosbindjen civile duke vënë në qendër të kërkesave të saj largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.
Lëvizja e mosbindjes civile në parlament është përqendruar tek bllokimi i seancave plenare, ndërsa në raport me komisionet parlamentare qëndrimi i PD ka qenë i ndryshëm. Opozita ka marrë pjesë në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi dhe në strukturat që kanë lidhje me integrimin, por ka bojkotuar komisionet e tjera. /vizionplus.tv