Çështja “Babale”, caktohet data e vendimit për Ervin Salianjin

2 hours ago 18
Reklamë

Gjykata e Apelit do të japë vendimin përfundimtar për deputetin Ervin Salianji më 26 shtator, në orën 13:00. Kështu u vendos gjatë seancës së të premtes, ku palët parashtruan qëndrimet e tyre.

Salianji është dënuar në Shkallën e Parë me 1 vit burg, në dhjetor 2019 për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi. Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Çfarë deklaroi Salianji në seancë?

Ervin Salianji është mbrojtur duke thënë se të gjitha denoncimet e bëra prej tij në të kaluarën janë provuar e kanë dalë të vërteta. Në fjalën e tij ai ka përmendur emrat e zyrtarëve të denoncuar, nga Vangjush Dako, Arben Ndoka, Pjerin Ndodka, Artur Bushi, etj.

“Denoncimin ne e kemi peshuar gjatë. Është bërë në 14 maj 2018”, citohet të ketë thënë Salianji, shkruan A2 CNN. “Për tri ditë me radhë ka pasur heshtje nga ministri i Brendshëm (Fatmir Xhafaj), nga prokurorët. Edhe pse për 8 vite ka qenë i lirë, zotëria (Geron Xhafaj) në influencën e vëllait dhe shokëve të vet shkon dhe vetëdorëzohet. Shkon me duar në xhepa në Romë të kryejë dënimin. E çojnë qëllimisht, që të mos depozitojë zë origjinal të vetin. Zëri i Xhafajt i është dhënë me USB prokurorisë nga avokati i tij. Nuk ka asnjë lloj prove dhe as një lloj fakti”.

Salianji është dënuar në Shkallën e Parë për “kallëzim të rremë”, akuzë që ai nuk e pranon. “Si mund të bëj unë kallëzim të rremë me dy persona që nuk i kam njohur kurrë. Albert Veliun e kam takuar kur më ka ardhur me gazetarin. Si ka mundësi që Alizoti nuk ka asnjë komunikim telefonik me mua, zero. Por ka komunikime me kreun e grupit parlamentar të PS, komunikim me drejtorin e Policisë së Fierit, me zv. drejtuesin e Policisë. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë, janë të gjithë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar”, është shprehur deputeti demokrat, shkruan A2 CNN. “Narrativa e tyre është që unë dua të rrëzoj qeverinë. Çfarë sensi ka kjo. Unë çdo ditë dua ta rrëzoj qeverinë. E kam mision. Për të denoncuar për interesin publik do dal prapë unë. Kush është interesi publik këtu? Një i dënuar shkoi të vuajë dënimin”.

Çfarë deklaroi prokurori

Prokurori i çështjes, Arben Qose, tha se Apeli duhet të mbajë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë. “Nuk evidentojmë shkelje procedurale gjatë gjykimit. Në lidhje me ankimin e Olldashit dhe Salianjit, vërej që argumentet janë të njësoj. Pa dashur të hyj në dinamikën e faktit penale, vlerësoj se shkaqet e ngritura në ankim nga dy të pandehurit nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal. Në vlerësimin tonë provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, që e kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen. Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë”, citohet të ketë thënë Qose.

“Në tërësinë e vlerësimit të provave, tabulatet telefonike, komunikimet provohet jo vetëm njohja, por edhe dita kur kanë regjistruar audio përgjimin. Në përfundim, vlerësoj se vendimi i Gjykatës është i drejtë dhe kërkoj të lihet në fuqi”.

Read Entire Article