Rebelët sirianë kanë marrë mëngjesin e kësaj të diele nën kontroll kryeqytetin, Damask, duke i dhënë fund regjimit pothuajse 50-vjeçar diktatorial të të Bashar Al Assad.
Damasku është “tani i lirë nga Assadi”, thanë rebelët në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Lexo edhe :
Related Posts
Forcat opozitare iu afruan kryeqytetit të shtunën pas një ofensive të nisur nga veriperëndimi i vendit 10 ditë më parë. Lajmi për lirimin e plotë erdhi mëngjesin e këtij 8 dhjetori ndërsa populli pushtoi qendrën e kryeqytetit.
Njerëzit u ngjitën mbi tanke dhe brohoritën ndërsa shkelnin mbi një statujë të rrëzuar të babait të Asadit.
Diktatori Bashar al Asadi i cili udhëhoqi vendin për 25-vite pas babait të tij, raportohet të jetë larguar nga vendi pas mesnate. Vendndodhja e tij nuk dihet, megjithëse vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, konfirmoi largimin e tij me avion pa dhënë detaje ku ka udhëtuar.
Koalicioni rebel sirian tha se po vazhdon punën për të përfunduar transferimin e pushtetit në Siri te një organ qeverisës kalimtar me kompetenca të plota ekzekutive.
Kryeministri tha se qeveria është e gatshme t’i zgjatë dorën opozitës dhe t’ia dorëzojë funksionet e saj një qeverie kalimtare.
“Unë jam në shtëpinë time dhe nuk jam larguar dhe kjo për shkak të përkatësisë sime në këtë vend”, tha kryeministri.
Ndërkaq, Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka shkruar në llogarinë e tij në Truth Social se “Assadi është larguar nga shteti. Mbrojtësja e tij, Rusia, nuk ishte e interesuar që ta mbronte më”.
Ekspertët nënvizuan se rënia e regjimit të Assadit do të paraqesë një humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, i cili së bashku me Teheranin kanë mbështetur Qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011. /vizionplus.tv