Diskutimi i Buxhetit nis pa opozitën, Malaj: Prioritet arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura

1 month ago 27

Për të dytin me radhë diskutimet për draftin ekonomik më të rëndësishëm që është buxheti i shtetit nisën pa praninë e opozitës në komisionet parlamentare. Nuk ka ende një qëndrim final nëse opozita do të marrë pjesë në diskutimet që do të zgjasin përgjatë një muaji, por këtë të hënë ministri i Financave Petrit Malaj prezantoi treguesit kryesorë të buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqendrohen në financimin e sektorëve prioritarë siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale dhe bujqësia”, tha Malaj.

Por sa para do të marrin sektorët prioritarë të ekonomisë? Edhe në këtë draft objektivi për të financuar sektorin e arsimit dhe shëndetësisë me 5% të PBB nuk është realizuar.

“Arsimi do të marrë 85.3 mld lekë, do të financohen ofrimi i teksteve shkollore falas për 240 mijë nxënësit deri në klasën e 9, ofrimi i teksteve shkollore falas për 16 mijë nxënësit në nevojë. Ofrimi i bursave financiare për 3 mijë nxënësit në nevoja të veçanta…

Shëndetësia do të financohet me 76.3 mld lekë, 4 mld lekë më shumë se 2024, rritje page për mjekët e infermierët dhe do të mbështesë mbi 400 mijë qytetarë për barnat e rimbursueshme. Financojmë programin e kontrollit mjekësor bazë check up. Vaksinimi anti-grip, anti-covid”, tha ministri.

Si vend anëtar në NATO, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes është një tjetër zë në treguesin e buxhetit që ka marrë financimin e nevojshëm. Ndërkohë që ajo që duket sikur është lënë jashtë vëmendjes është buxheti për Ministrinë e Bujqësisë që për këtë vit është thuajse në të njëjtat nivele si një vit më parë, edhe pse ky sektor mund të konsiderohet në vitet e fundit në anemi. /vizionplus.tv

Read Entire Article