“Dy botë që përplaseshin brutalisht”/ Në rrënjët e Kamala Harris, kandidates për presidente të SHBA

2 months ago 30

Ishte 27 nëntori 2002, dita në të cilën Castro, një lagje simbol e komunitetit homoseksual të San Franciskos, organizoi homazhe për Harvey Milk, një nga politikanët e parë homoseksualë të zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, i vrarë në vitin 1978 në bashkinë e qytetit. Në përvjetorin e njëzet e katërt të asaj ngjarje traumatike, qindra njerëz u mblodhën në sheshin Harvey Milk në orët e vona të pasdites.

“Kamala Harris qëndronte pranë meje,” thotë Patrick Cosson, një konsulent marketingu, i cili gjithashtu mori pjesë në përkujtimore atë vit, si gjithmonë. Zvpresidentja aktuale kishte veshur një kostum të zi dhe çizme kamoshi. Ajo vinte nga zyra juridike e bashkisë, ku drejtonte departamentin që merrej me familjet dhe fëmijët.“Shkëmbyem disa fjalë,” kujton Cosson. Në atë kohë, Harris nuk ishte ende avokate e San Franciskos – një pozicion i zgjedhur me votë – por po mendonte për të kandiduar në nëntor 2003.

Në atë kohë, ajo po ndërtonte rrjetin e saj të kontakteve në shoqërinë e lartë të San Franciskos dhe po u vardisej përfaqësuesve të “parave të vjetra”, domethënë trashëgimtarëve të aseteve bankare dhe naftës në qytet. Këto ishin vitet në të cilat nisën të shfaqeshin pasankët e rinj të sektorit të teknologjisë në qytet.

Revista Nob Hill Gazette publikonte rregullisht foton e Harris në mesin e njerëzve më me ndikim të San Franciskos. Në një nga ato imazhe, që daton në vitin 2000, Harris kishte veshur një kostum Burberry dhe titulli vlerësonte “elegancën e saj mahnitëse”. Atë ditë të vitit 2002, Cosson e këshilloi Harrisin të afrohej në skenën ku ndodheshin politikanët dhe personalitetet më të spikatura. Harris u kthye, ngriti gishtin tregues dhe iu drejtua në një mënyrë kërcënuese, e indinjuar nga ideja për ta përdorur atë ngjarje për qëllime elektorale. “Dëgjo,” tha ajo, “unë kam bërë fushatë për të drejtat civile që kur isha fëmijë. Nëna ime gjithmonë më ka shtyrë të marr pjesë dhe të dëgjoj, dhe këtë po bëj edhe bëj sot”. Njëzet vjet më vonë, kjo vendosmëri i prin kandidaturës së saj për presidencën e Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris “nuk ka frikë të ngjallë frikë”, thotë Patrick Cosson.

Sipërmarrësi e tregon anekdotën nën flamurin ylber që ka dominuar në hyrje të lagjes që nga viti 1997. Është një ditë gushti me diell. Një fllad i ftohtë nuk i ndalon dy burra të shkelin një urdhëresë të qytetit të vitit 2012 – e mbështetur në gjykatë në vitin 2019 – që ndalon ecjen lakuriq në hapësira publike. Castro është një vend lirie, i papërshkueshëm nga konventat dhe një vend simbolik i atij San Francisko të urryer nga konservatorët, të cilët e përshkruajnë atë si një metropol “radikal” larg nga pjesa tjetër e vendit: një koncept që e djathta do ta përdorë për të diskredituar kandidaturën e Harris, duke dashur që ajo të humbasë votat e votuesve më të moderuar në mid-west, një rajon zakonisht vendimtar në zgjedhjet presidenciale.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë zgjedhur një president kalifornian që nga viti 1980, kur fitoi konservatori Ronald Reagan, dhe asnjë politikan i Partisë Demokratike nga shteti më i populluar dhe më i pasur në vend nuk ka arritur të fitojë ndonjëherë Shtëpinë e Bardhë. Sot në retorikën e Donald Trump dhe të djathtës, Kalifornia është një vend ku taksat janë të papërballueshme, krimi është jashtë kontrollit, rrugët pushtohen nga njerëz që përdorin drogë dhe shkollat ​​janë plot me transgjinorë. Nëse Harris fiton, “Terroristët e Partisë Demokratike do të emërojnë qindra gjyqtarë të ekstremit të majtë për të imponuar me forcë vlerat e çmendura të San Franciskos mbi të gjithë amerikanët”, tha Trump më 27 korrik, gjatë një mitingu në Florida.

A do të jetë në gjendje Harris të heqë etiketën “radikale e Kalifornisë”? Kur pyet nëse është progresiste, e moderuar apo oportuniste, politikanët vendas përgjigjen se ajo është centriste pragmatike. “Majtas qendrës”, specifikon Dan Morain i cili shkroi një biografi të titulluar “Në lidhje me Kamalën. Një jetë amerikane”. Rafael Mandelman, një këshilltar bashkiak i Partisë Demokratike, jep një lexim më me nuancua: “Harris është mjaft konservatore, por duke qenë se ajo vjen nga San Francisko, konsiderohet ende progresive”.

Kamala Devi Harris është një produkt tipik i politikës kaliforniane: e rritur në zonën e Gjirit të San Franciskos, ajo iu afrua botës së Hollivudit falë bashkëshortit Doug Emhoff, një avokat në industrinë e argëtimit.

Për të, politika është një çështje familjare. Ajo lindi më 20 tetor 1964 në spitalin Kaiser në Oakland, në anën tjetër të gjirit, gjatë periudhës së lëvizjes për fjalën e lirë (liria e shprehjes). Pesë kilometra larg spitalit, në Sproul plaza, studentët e Berkeley kishin demonstruar që nga mesi i shtatorit kundër kufizimeve të aktiviteteve politike në kampus. Edhe pse ka marrë pjesë në shumë protesta që kur ishte ende në karrocë, Kamala Harris e relativizon peshën e lëvizjeve, edhe për shkak se gjithmonë “ka dashur të ketë një rol brenda sistemit”, siç shkruante në autobiografinë e saj “Të vërtetat që ne mbajmë: një udhëtim amerikan”.

Harris është vajza e dy studentëve të huaj që ndiqnin ëndrrën kaliforniane në ato vite: Donald Harris, xhamajkan dhe pasardhës i largët i një pronari plantacioni, kishte mbërritur në Berkeley në vitin 1961 me një bursë për doktoraturë në ekonomi; Shyamala Gopalan, indiane, vajza e një zyrtari të lartë nga Madras, ishte një studente e parakohshme, e cila në moshën 19-vjeçare, pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve në Universitetin e Nju Delhit, arriti të pranohej në Berkeley, pa dijeninë e prindërve.

Ishte politika, në vjeshtën e vitit 1962, ajo që i bëri bashkë. Në atë kohë, Berkeley nuk ishte ende kryeqyteti i kundërkulturës, por protesta tashmë po mbinte dhe “Black Panther” po hidhte hapat e saj të parë. Në selinë e organizatës së studentëve afrikano-amerikanë, të rinjtë diskutonin për diskriminimin dhe dekolonizimin, duke lexuar autorë zezakë që nuk gjenin hapësirë ​​në programet universitare. Një mbrëmje Donald Harris mbajti një fjalim mbi pabarazinë ekonomike dhe Shyamala Gopalan, iu afrua në fund të fjalimit. Më pak se një vit më vonë, në korrik 1963, ata u martuan.

Formimi radikal

Spitali Kaiser në Oakland është shkatërruar, në vend të tij sot ka një parking. Ajo që ka mbetur nga fëmijëria e Kamala Harris është shtëpia në Bancroft Way, ku nëna e saj u zhvendos pasi kërkoi divorcin në vitin 1971. Është një ndërtesë e verdhë njëkatëshe e rrethuar nga bimë yucca, të cilën komisioni bashkiak për ruajtjen e ndërtesave historike u përpoq ta mbronte në vitin 2021, përpara se të dorëzohej përballë banorëve. Shkolla ndërkombëtare Montessori e cila zë katin përdhes ndalon hyrjen për vizitorët. Epoka e fjalës së lirë ka kaluar prej kohësh. Shkolla vetëshpallet “politikisht neutrale për të mbrojtur sigurinë e fëmijëve”, shkruhet në një tabelë të vendosur në parmakë.

Rreth ndërtesës lindi një lagje borgjeze e stolisur me manjola dhe akacie. Përpara strukturës ka një park bashkiak i projektuar për të “përmirësuar shëndetin e banorëve”, të shqetësuar për ndryshimet klimatike, thotë një tabelë e vendosur në hyrje. Shyamala kishte zgjedhur të jetonte në komunitetin e zezakëve, të cilët e kishin pritur me krahë hapur. Kamala dhe motra e saj Maya, e lindur në vitin 1967, u rritën midis Kishës Baptiste Afriko-Amerikane në Avenue 23 dhe Tempullit Hindu Livermore; ato dëgjonin “To be young, gifted and black” të Nina Simone (në versionin e kënduar nga Aretha Franklin) dhe këngët tradicionale të Indisë së Jugut, të cilat nëna e tyre i njihte mirë (ajo kishte fituar një çmim në një performancë muzikore të “Carnatic”).

Në vitin 1970, Kamala Harris ishte ndër studentët e përfshirë në programin e autobusëve, i krijuar për të kufizuar ndarjen racore midis shkollave: çdo mëngjes fëmijët nga lagjet e varfra çoheshin me autobus në lagjet e të bardhëve dhe anasjelltas. Dy botë që përplaseshin brutalisht. Kur Maya dhe Kamala shkuan në Palo Alto për të takuar babanë e tyre, i cili jepte mësim në Universitetin e Stanfordit, fëmijët e lagjes refuzuan të luanin me to, me urdhër të prindërve. Në Berkeley dy vajzat zhyten në fermentin për të drejtat civile çdo të enjte në mbrëmje, në Rainbow Sign, në Grove Street, qendra kulturore e rinovimit intelektual të amerikanëve ngjyrë. Atje të rriturit dëgjonin Maya Angelou, Alice Walker ose James Baldwin ndërsa fëmijët uleshin në bibliotekë ose kuzhinë. Rreth asaj kohe, Harris kuptoi se “shprehja artistike, ambicia dhe inteligjenca ishin cool“, shkruan ajo në autobiografinë e saj. Vite më vonë, rruga Grove u bë Martin Luther King Jr., dhe sot Rainbow Sign strehon Qendrën e Shëndetit Mendor të qytetit të Berkeley.

Harris-it nuk i pëlqen të flasë shumë për origjinën e saj të ndërlikuar, por ajo flet shpesh për nënën e saj, shtatin e saj të shkurtër, theksin e saj, “të qeshurën e saj të brendshme” dhe vendosmërinë dhe sakrificat që i lejuan të të merrte një bursë dhe një vizë, pasi zbuloi se Shtetet e Bashkuara mirëpritën studentë nga vendet e dekolonizimit (babai i Barack Obamës, një kenian, kishte përfituar të njëjtën mundësi). Prindërit e lanë Shyamalën të largohej, por me premtimin se ajo do të kthehej dhe do të pranonte një martesë të ndërmjetësuar.

Në moshën 26-vjeçare, Shyamala Gopalan mbrojti tezën e doktoraturës në endokrinologji dhe lindi vajzën e saj të parë disa muaj më vonë. Në vitin 1976, Universiteti i Kalifornisë në Berkeley i mohoi promovimin, që ajo ishte e bindur se e meritonte, në favor të një burri. Kështu, Gopalan pranoi një pozicion në Universitetin McGill dhe u zhvendos me vajzat në Montreal, Kanada, një qytet frëngjishtfolës i mbuluar me dëborë për pjesën më të madhe të vitit. Dhjetë vjet më vonë ajo u kthye në Kaliforni, ku u bë e njohur për kërkimet mbi rolin e receptorëve të hormoneve në zhvillimin e kancerit të gjirit. “Ajo nuk i kërkoi askujt leje për të ndjekur ëndrrat e saj”, shkroi vajza e saj, e cila nuk rri kurrë pa bërë homazhe për shkencëtaren, e cila vdiq në vitin 2009 për shkak të kancerit të zorrës së trashë.

Harris, megjithatë, flet rrallë për babanë e saj, një intelektual i krahut të majtë, i cili tani është 86 vjeç. Në fund të procedurave të divorcit, në vitin 1973, Donald Harris kishte fituar të drejtën për të kaluar gjashtëdhjetë ditë në verë me vajzat e tij. Me kalimin e viteve ai i çoi vajzat në Xhamajka dhe u shpjegoi “kontradiktat” e ekonomive të botës së tretë, ku mbivendosen varfëria dhe pasuria më ekstreme.

Në vitin 1972 Donald Harris ishte afrikano-amerikani i parë që fitoi një post profesori në fakultetin e ekonomisë në Stanford, edhe falë një peticioni nga studentët që kërkuan praninë e një mësuesi marksist në fakultet. Ndërhyrja e tij e fundit publike daton në vitin 2019, kur ai kritikoi vajzën e tij, një senatore në atë kohë, se pranoi që kishte pirë marijuanë. “Gjysma e familjes sime vjen nga Xhamajka”, ishte justifikuar me atë rast Kamala dhe Donald kishte shprehur bezdi për atë që ai besonte se ishte një stereotip për ishullin e tij të origjinës. “Stërgjyshërit tanë po kthehen përmbys në varret e tyre”, deklaroi ai. Që atëherë ka premtuar se do të qëndrojë larg “cirkut të politikës” dhe nuk do të bëjë më deklarata për mediat.

Menjëherë pas marrjes së nominimit për Partinë Demokratike, Harris i telefonoi Amos Brownit, pastorit të Kishës së Tretë Baptiste, një nga kishat më të vjetra afrikano-amerikane në San Francisko. “Ajo më kërkoi të lutem për të, për burrin e saj dhe për zgjedhjet”, tha Brown për revistën e krishterë Sojourners. “I thashë që t’i mbajë sytë tek objektivi.” Pastori, një student i Martin Luther Kingut, ishte mes të ftuarve në ceremoninë e inaugurimit të administratës Biden, organizuar më 20 janar 2021 në Uashington. Shtëpia e Bardhë kishte marrë me qira një aeroplan për të transportuar mysafirë nga Kalifornia, me një ekuipazh tërësisht femëror “me kërkesë të zëvendëspresidentes së zgjedhur”, shpjegoi komandanti.

Republikanët tashmë kanë filluar të analizojnë fjalimet e Brownit, siç bënë në vitin 2008 me Jeremiah Wrightin, pastorin e Barack Obamës, duke kërkuar deklarata të dyshimta për çështjen e racës. Më 4 gusht, në predikimin e tij, Browni kujtoi rolin e grave në Bibël. “Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte kulturore kundër mundësisë që një grua të zgjidhet presidente e Shteteve të Bashkuara,” tha ai. Me një retorikë të ndërprerë nga duartrokitjet, pastori i ftoi besimtarët që “të jenë të gatshëm për t’u siguruar që Amerika është gati, gati sot, gati së shpejti, gati sa më shpejt të jetë e mundur për të mirëpritur një grua me ngjyrë që të udhëheqë vendin”.

Nga Teksasi në Kaliforni

Kamala Harris hyri në lajmet e San Franciskos nga dera e pasme më 22 mars 1994, falë një artikulli të shkurtër nga Herb Caen, gazetari legjendar vendas. Caen, i cili punoi për më shumë se gjashtëdhjetë vjet për San Francisco Chronicle, kishte shkruar se gjatë festës për ditëlindjen e gjashtëdhjetë të politikanit Willie Brown, organizuar në kështjellën e milionerit Ron Burkle, afër Los Anxhelosit, aktori Clint Eastwood kishte derdhur një gotë shampanjë mbi shoqen e Brown, Kamala Harris. Në atë kohë, Harris ishte 29 vjeçe dhe punonte si zëvendësprokurore në kontenë Alameda, në kufi me San Franciskon. Brown ishte lideri shumë i fuqishëm i shumicës demokrate në legjislaturën e Kalifornisë dhe askush nuk mund ta imagjinonte, që ajo grua një ditë do të ishte kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara.

Brown është një nga përbindëshat e shenjtë të politikës kaliforniane. Në vitin 1951, në moshën 17-vjeçare, ai u largua nga Teksasi për të kërkuar fatin e tij në Perëndim. Në San Francisko ai u bë avokat dhe mbrojtës i të varfërve dhe të margjinalizuarve (në atë kohë firmat e mëdha ligjore nuk ishin në radhë për të rekrutuar një avokat afrikano-amerikan). Që nga viti 1960 ai ka marrë pjesë në çdo konventë të Partisë Demokratike. Ishte ai që ndihmoi Nancy Pelosin, kryetaren e ardhshme të Dhomës së Përfaqësuesve, të organizonte fushatën e saj të parë elektorale në vitin 1987 dhe ishte ai që lançoi Gavin Newsomin, guvernatorin aktual të shtetit, duke e detyruar atë të hynte në një komision mbi trafikun në bashkinë e San Franciskos. Qyteti pëlqen veshjet e tij italiane, Ferrarin e tij dhe batutat që bën.

Emri i Kamala Harris u rishfaq në gazeta më 29 nëntor 1994, në faqet e Los Angeles Times, kur gazetari Dan Morain zbuloi se Brown, u detyrua të linte postin e tij në legjislaturën e Kalifornisë (thuhej se ligjvënësit kishin vendosur limit në numrin e mandateve me objektivin e vetëm përjashtimin e tij), dhe kishte emëruar Harris në komisionin e mbikëqyrjes së kontratave me kompanitë e sigurimeve shëndetësore, me një pagë 72 mijë dollarë në vit. Sipas Morain ishte hera e dytë që ai promovonte partneren e tij në atë kohë.

Harris, në fakt, kishte marrë tashmë një pozicion (të paguar 97 mijë dollarë në vit) në zyrën e papunësisë. Mes dhuratave të ndryshme të Brown për partneren e tij, ishte edhe një BMW.

Në atë kohë, politikani demokrat (i cili jetonte veçmas nga gruaja e tij, kishte disa të meta por nuk ishte divorcuar kurrë) ishte përfshirë në fushatën elektorale për t’u bërë kryebashkiak i San Franciskos. Harris dhe Brown morën pjesë në darkat së bashku në Pacific Heights, një lagje në modë me pamje nga Ura Golden Gate dhe ceremoninë e Oscarit në Hollywood. Një ditë, ndërsa ishte në Boston për një konferencë, Brown mori një ftesë nga Donald Trump, i cili donte të fliste me të për një projekt të pasurive të paluajtshme. Trump kishte dërguar avionin e tij privat për ta çuar në Nju Jork së bashku me bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Harris. Gazetarët nuk kanë mundur asnjëherë të vërtetojnë nëse Harris ka marrë pjesë vërtet në takim, por është vërtetuar se kandidatja aktuale demokrate, ka udhëtuar në bordin e avionit të njeriut me të cilin do të përballet në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Pas përfundimit të studimeve për drejtësi në San Francisko, Harris punoi në Prokurorinë e Qarkut Alameda. Duke habitur të gjithë ata që e kishin parë të rritej mes protestave në Berkeley, ajo nuk zgjodhi mbrojtjen e viktimave, por atë të ligjit. Ajo më vonë deklaroi se qëllimi i saj në atë kohë ishte humanizimi i sistemit të drejtësisë penale. Ndërsa ishte ende praktikante, Harris e kuptoi se sa shumë një person i vetëm mundej të sillte ndryshim. Ishte një mbrëmje e premte – thotë ajo në biografinë e saj – dhe skuadra e antidrogës kishte arrestuar aksidentalisht një vajzë që ndodhej në shtëpinë ku po bëhej kontrolli. Ajo rrezikoi të qëndronte në paraburgim deri të hënën e ardhshme pa e ditur as nëse fëmijët eishin njoftuar për arrestimin. Me atë rast, Harris bëri gjithçka për të sjellë në gjykatë një gjykatës që mund ta lironte nga burgu. “Ishte një moment përcaktues në jetën time,” shkroi ai.

Në vitin 1998 ajo u emërua nga Terence Hallinan, një prokuror i San Franciskos, në krye të divizionit të çështjeve kriminale. Harris vendosi të transferohej në qendër të San Franciskos dhe të ndiqte këshillën e ish-mentorit të saj, Willie Brown (ata e kishin ndërprerë marrëdhënien romantike në dhjetor 1995) për të bërë atë që kishte rëndësi në San Francisko: afrimin me botën e shoqatave, të kulturës dhe bamirësisë. Harris iu bashkua bordit të drejtorëve të MoMA në San Francisko, një muze prestigjioz i artit modern ku zhvilloi një program për të ndihmuar të rinjtë me prejardhje të varfër të zbulojnë artin. Më vonë ajo iu bashkua shoqatës SF Jazz, drejtoi darkën vjetore të klientëve të orkestrës simfonike, drejtoi një organizatë kundër dhunës në familje dhe shërbeu në bordin e drejtorëve të Women count, një shoqatë për promovimin e grave në politikë. Në atë kohë, Nob Hill Gazette e vlerësoi aktivizmin e asaj gruaje të re dhe jashtëzakonisht magjepsëse.

Pa frikë

Gjatë asaj kohe, zvpresidentja aktuale e Shteteve të Bashkuara ndërtoi një rrjet kontaktesh që e mbështet edhe sot. Zhvilluesi shumë i pasur i pasurive të paluajtshme Mark Buell e konsideroi “një socialiste me diplomë juridike”, por ndryshoi mendje pasi e takoi. Në vitin 2003, kur Harris vendosi të kandidonte për prokurore në San Francisko, Buell u bë arkëtar i fushatës. Ndërkohë që po takohej me elitën e San Franciskos, Harris krijoi selinë e saj në lagjen e zezakëve dhe hispanikëve të Bayview, larg dritave të ndritshme të qendrës së qytetit. Basti doli i suksesshëm, sepse falë mbështetjes multikulturore, Harris arriti fitoren e saj të parë dhe u fut në rrugën që do ta çonte të kandidonte për në Shtëpinë e Bardhë. Edhe sot ajo pretendon se dëshiron të bashkojë realitete që janë të kundërta: mbledh shuma rekord duke shfrytëzuar kontaktet e saj në institucione dhe në të njëjtën kohë, gjatë mitingjeve, përsërit fjalët e epokës së Black Power: nuk ka kthim prapa, nuk ka kthim mbrapa.

Nëse Barack Obama kultivoi “guximin e shpresës” (titulli i librit të tij të dytë), Kamala Harris pretendon një angazhim jashtëzakonisht konkret. Reklamat e saj të fushatës e përshkruajnë si të patrembur në misionin e saj për të vënë kriminelët pas hekurave ose për t’u përballur me bankat e mëdha. Që nga viti 2003, Harris ka demonstruar vazhdimisht vendosmërinë e saj. Ajo nuk hezitoi të kandidonte kundër ish-shefit të vet Hallinan, i cili u paraqit si prokurori më përparimtar në vend. Pasi punoi për dy vjet në shërbimin e tij, Harris i njihte shumë mirë problemet e prokurorisë: hetuesit ishin të pamotivuar dhe pa staf, nuk kishte sistem klasifikimi të dokumenteve dhe shkalla e dënimit ishte më e ulëta në Kaliforni (29 për qind, nga mesatarja shtetërore prej 67 përqind). Sfiduesi kryesor i Hallinan ishte Bill Fazio, i cili mbante pozicione shumë më konservatore.

“Ishte një betejë mjaft tradicionale midis dy linjave të mendimit mbi krimin: shtypja maksimale kundrejt shtypjes minimale,” thotë juristi Rafael Mandelman, aktualisht këshilltar i qytetit të San Franciskos. “Më pas erdhi kjo grua intriguese, e cila doli nga hiçi dhe ishte në gjendje të ndryshonte debatin.” Kamala Harris propozoi një politikë inteligjente kundër krimit. “Mesazhi i sạj ishte: “Le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë funksionon, të gjejmë mënyra për të riintegruar njerëzit me precedentë kriminalë në shoqëri dhe për të ulur shkallën e recidivizmit”. Mandelman thotë se një ditë e çoi kandidaten në një bar homoseksualësh. Ishte “nata e veshjes vetëm me të brendshme”, thotë ai, por ai mjedis transgresiv nuk e ndaloi Harrisin të diskutonte politikën sikur të gjithë të ishin me kostume dhe kravata. “Që në fillim m’u duk e qartë se askush nuk mund ta ndalonte”, thotë këshilltari.

Siç pritej, kundërshtarët e Harris e sulmuan atë gjatë asaj fushate për marrëdhënien e mëparshme me Willie Brown. Në vitin 1995, Brown festoi zgjedhjen si kryebashkiak i San Franciskos me një madhështi princërore, duke hipur në Rrugën e Tregut në një karrocë me kuaj përpara më shumë se njëqind mijë spektatorëve. Gjatë një debati mes kandidatëve të organizuar në një kishë në lagjen Noe Valley, rivalët e Harris e akuzuan për konfliktin e interesit që do të shfaqej në mënyrë të pashmangshme nëse do t’i duhej të hetonte aktivitetet e bashkisë. Në një qytet ku konkurrenca ishte e ashpër dhe politika thuhej se i ngjante “një përleshje me grushte në një kabinë telefonike”, dy rivalët e Harris zbuluan se kjo grua ishte krejtësisht e aftë të jepte goditje të ulëta.

Në vend që t’u përgjigjej insinuatave, Harris u ngrit dhe filloi të fliste ndërsa lëvizte pas dy kandidatëve, duke kujtuar të gjitha rastet kur ata kishin vënë në shënjestër njëri-tjetrin: njëri ishte arrestuar në një sallon masazhi, ndërsa tjetri nuk kishte marrë masa kur dy magjistratë u kapën në flagrancë për kryerjen e një krimi për “sjellje të pahijshme” në gjykatë. Harris e përfundoi fjalimin e saj, duke qëndruar në qendër të skenës mes dy burrave dhe duke deklaruar: “Unë premtoj se nuk do të përdor kurrë të njëjtën strategji kundër kundërshtarëve të mi”. Publiku duartrokiti.

Mediat u impresionuan. San Francisco Chronicle botoi një editorial të titulluar: “Harris, për ligjin dhe rendin”. Me një intuitë të përsosur, fushata e saj zgjedhore transmetoi një reklamë që tregonte foto të dhjetë prokurorëve të San Franciskos që ishin alternuar që nga viti 1900, të gjithë burra të bardhë. “Është koha për një ndryshim,” thoshte slogani.

Fushata denigruese

Pasi mori detyrën, Harris bleu kompjuterë për stafin e saj dhe prezantoi një sistem të ri për klasifikimin e rasteve. Hetuesit e prokurorisë kishin një llogari emaili shtatë vjet përpara punonjësve të departamentit të policisë. Harris vendosi të mos ndjekë penalisht prostitutat, por klubet që i shfrytëzonin ato, dhe krijoi një program për t’i rikthyer njerëzit me precedentë kriminalë në rrugën e duhur – i quajtur “Kthehu në rrugën e duhur” – i cili më vonë u miratua në shumë qytete të tjera anembanë vendit. Gjatë katër viteve të para të mandatit të saj, shkalla e dënimit u rrit në 67 për qind, një rezultat mbi të cilin ajo bazoi ofertën e saj për rizgjedhje, por të cilin organizatat anti-raciste nuk ia falën kurrë.

Në nivel politik, episodi vendimtar i karrierës së Harris mbetet ndeshja e saj me sindikatat e policisë, vetëm tre muaj pas marrjes së detyrës.

Gjithçka filloi më 10 prill 2004, kur Isaac Espinoza, një oficer policie 29-vjeçar, u vra në lagjen Bayview. Besnike ndaj premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale, Harris vendosi të mos kërkonte dënimin me vdekje për djalin që kishte qëlluar, duke nxitur zemërimin e policëve, të cilët ndiheshin të tradhtuar dhe të shumë politikanëve, përfshirë disa demokratë. “Ajo ishte nën presion të madh,” kujton Mandelman. “Por ishte në gjendje të rezistonte dhe të mbante premtimin, duke demonstruar karakter të madh”. Harrisit iu deshën dhjetë vjet si prokurore për të rregulluar përçarjen me sindikatat e policisë.

Gjatë gjithë karrierës së saj, Harris ka qenë subjekt i fushatave të ndryshme shpifëse të organizuara nga republikanët, pothuajse gjithmonë të fokusuara në marrëdhënien e saj me Willie Brown. Kandidatja për Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave dhe në autobiografinë e saj nuk e përmend asnjëherë emrin e ish-kryebashkiakut të San Franciskos. Pasi ka mbushur 90 vjeç, Brown vazhdon të qetësojë në mënyrë elegante sulmet. Pasi Harris u vendos në politikën kombëtare, ai tha se ishte i përgatitur për më të keqen. “Ka premtuar se do të më dënonte edhe nëse kaloj rrugën larg vijave të bardha,” tha ai për San Francisco Chronicle në vitin 2019. “Ajo do të më dëbojë nga vendi,” tha ai me ironi në një intervistë të botuar më 31 korrik 2024 nga Politico ndërsa fotot që i shfaqnin së bashku në vitet nëntëdhjetë qarkulluan në rrjete sociale. Brown, në çdo rast, gjithmonë do të jetë në gjendje të mburret se ka parashikuar i pari, që një ditë Kamala Harris do të mbërrinte në dyert e Shtëpisë së Bardhë. / Le Monde – Bota.al

Read Entire Article