Ish kreu i Kadastrës së Gjirokastrës Florian Taçi ngelet në burg. Shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër sapo ka vendosur që Taçi të vuajë ditët e paraburgimit në Burgun e Sigurisë së lartë në Tepelenë.
Seanca e sotme e vlerësimit të masës së arrestit ka zgjatur një orë e gjysmë ku prokurori Gazmend Frëngu ka renditur shkeljet ligjore të konstatuara gjatë momentit të arrestimit në flagrancë të Taçit dhe Alban Memishes ish hartografit të Kadastrës.
Provat shkresore e materiale të servirura nga prokurori Frëngu kanë qenë të rënda pasi Taçi dhe Memisha të dy së bashku kanë cënuar sistemin kombëtar të Kadastrës duke dhënë certifikata pronësore në qindra raste për pasuri të ndryshme të paluajtshme. Në momentin e prezantimit të provave, kryesuesja e seancës gjyqësore Entela Selmanaj ka ndjekur veprimtarinë antiligjore të Taçit.
Pas paraqitjes së provave nga prokurori Frengu, avokatët Piro Boboli për Florian Taçin dhe Arben Pasho për Alban Memishën patën kërkuar arrest shtëpie. Ndërsa pas pretendimeve të avokatëve mbrojtës, gjyqtarja Enkelejda Selmanaj është tërhequr duke dhënë më pas vendimin që lë në burg pa afat ish kreun e Kadastrës Florian Taçi dhe bashkëpunëtorin e tij Alban Memishaj./vizionplus.tv