Gjatë bashkëbisedimit të radhës në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama u ndal sërish tek integrimi në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë një çështje ekzistenciale.
Sipas tij, nuk ka rëndësi kush do të ulet për herë të parë në tryezën e BE-së, për sa kohë do të vendoset emri Albania, dhe shpreh besimin se do të jetë një kryeministër nga Partia Socialiste.
Rama: Futja jonë në BE është një çështje ekzistenciale, nuk mund të rrimë veç, nuk mund të rrimë jashtë. Nuk mund të jemi delja që e ha ujku, duhet të futemi aty. Aty e kemi vendin.
A jam unë që shkoj atje dhe ulem për herë të parë tek ajo Albania, apo është dikush tjetër, nuk ka pikë rëndësie, por do ta vë atë Albania aty. Do ta marr përdore kushdo të jetë, besoj do jetë socialist, mund të jetë edhe socialiste.
Kryeministri ka ironizuar koalicionin e Sali Berishës, duke iu referuar si ‘koalicioni i kënetës madhështore’, i cili do të marrë fund me integrimin në BE.
Rama: Unë flas për kënetën. Aleanca për madhështore. Jam shumë i prekur që Kujtim Gjuzi, që posedon të vetmen gjë madhështore në atë aleancë, mustaqet e tij, është lënë mënjanë dhe jam ndjerë keq që kam parë Selami Jenishehrin që ka denoncuar koalicionin me fjalët më të rënda dhe është shkëputur prej tij. I janë qepur Shqipërisë që nga 1912, ndryshojnë vetëm fytyrën, emrin dhe temat por është e njëjta kënetë, e njëjta specie që e përndjek Shqipërinë dhe me të cilën do të mbyllet filmi në momentin që do të hyjmë në BE.
Rama përmendi edhe disa nga projektet që po zbatohen në qytete të vendit, si investimet në bregdetin e lezhës, që sipas tij, do të bëhet si ai i Spanjës./vizionplus.tv