Hapet pika e parë e Postës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
Qytetarët do të kenë mundësi të kryejnë shërbimet postare dhe pagesat e ndryshme, si dhe do mund të pajisen me kartelat e Valës dhe me shërbimet tjera të Telekomit të Kosovës.
Në hapjen e postës së parë të Kosovës, nga 9 që do të hapen në total, ishin të pranishëm ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Hapja e kësaj poste u shoqërua me protesta nga ana e serbëve lokal të udhëhequr nga subjekti politik Demokracia Serbe.
Në fillim të muajit gusht, Kosova mbylli nëntë filiale të Postës së Serbisë që vepronin në Kosovë, duke nxitur kështu reagimin e ashpër të Beogradit.
Aksioni i autoriteteve të Kosovës, erdhi një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se kishte përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalonte përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
/a.rt