Institucionet shtojnë borxhet. Gati 10 miliardë lekë detyrime deri në qershor

2 months ago 31

Pavarësisht se në arkën e shtetit këtë vit janë futur më shumë para se kurrë më parë, institucionet në nivel qendror e vendor zgjeruan detyrimet e prapambetura. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë borxhet ndaj kompanive private për punë apo shërbime të kryera, por të pashlyera në fund të qershorit arritën në gati 10 miliardë lekë.

Në raport me një vit më parë, detyrimet e prapambetura rezultojnë të jenë zgjeruar me gati 2,1 miliardë lekë, ndërsa me marsin me mbi 800 milionë lekë.

Zana Guxholli, eksperte për ekonominë, shprehet për A2: “Detyrimet e prapambetura janë një problem serioz për menaxhimin e buxhetit të shtetit, por për qeverinë ato shihen si një mënyrë për të rritur borxhin e fshehur, për të kryer investime ndonëse nuk kanë para në gjendje”.

Të dhënat nga Financat tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve u takon institucioneve të pushtetit qendror me përkatësisht 5,7 miliardë lekë, ndërsa rreth 4,2 miliardë lekë i takojnë bashkive.

Zgjerimi i detyrimeve të prapambetura pritet të vijojë për shkak të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Është kthyer në traditë që në vitet elektorale ka një shtim të detyrimeve të prapambetura me qëllim rritjen e investimeve në funksion të zgjedhjeve, pavarësisht nëse janë parlamentare apo vendore”, thekson Guxholli.

Pjesa më e madhe e detyrimeve të prapambetura që institucionet në nivel qendor dhe 61 bashkitë në vend kanë akumuluar deri në fund të qershorit, janë kryesisht për investime të kryera, por të papaguara. Lista pasohet nga shërbimet e marra, por të pashlyera, vendimet gjyqësore dhe mallrat.

Peshë zënë gjithashtu pagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të të punësuarve në administratë dhe rimbursimi i TVSH-së për bizneset.

Read Entire Article