“Kurum”, mbetjet e rrezikshme dhe qeveria jonë

2 months ago 33

Nga Fatos Çoçoli

Kompania turke “Kurum International” prodhon produkte çeliku në ish-Kombinatin Metalurgjik në Elbasan që prej vitit 1998 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim. Sipas vetë të dhënave të publikuara nga “Kurum International” (https://www.gem.wiki/Kurum_ International_ Elbasan_stël_plant), uzina e shkrirjes së hekurit dhe kthimit në çelik me hark elektrik në Elbasan mbulon rreth 85 për qind të nevojave të tregut tonë të brendshëm për hekur. Uzina prodhon gjithashtu gazra industriale dhe gëlqere.

Rreth 60 për qind e produkteve të uzinës së çelikut eksportohen në Ballkan, në Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Bullgari dhe më gjerë në Itali dhe Turqi, ndërsa 40 për qind shitet në tregun vendës. Në maj të vitit 2015, kompania “Kurum International” u detyrua të ndalonte punën, për shkak të mospërputhjes me standardet mjedisore. Kompania u akuzua nga qeveria jonë atëherë për hedhjen e paligjshme të mbetjeve toksike nga pluhuri i filtrave të Uzinës së Çelikut pranë lumit Shkumbin, çfarë kishte krijuar një mal me skorje dhe mbeturina rreth 200 metra të gjerë dhe 20 metra të lartë. Kompania punëson me qindra punëtorë dhe është punëdhënësi më i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit. Për të vazhduar punën dhe aktivitetin shitës në tregun e brendshëm të etur të Shqipërisë për hekur si material ndërtimi, por edhe eksportet e rëndësishme në Ballkan, Itali dhe Turqi, kompania e ka të domosdoshme të çojë diku malin me mbetje toksike nga filtrat e pastrimit të gazrave.

Këto mbetje janë në përmasa me mijëra tonë në vit, nga hiri i oxhakut i Uzinës së saj të Çelikut në Elbasan. Si vend shpëtimi duket se është gjetur terminali i mineraleve në kalatën lindore të portit të Durrësit, i menaxhuar si koncesion nga kompania gjermane “EMS Albanian Port Operator”. Kompania “Kurum International” ka një histori me eksportin e mbetjeve të uzinës së saj në vitin 2018 për në Turqi. Pamjet satelitore të publikuara në aplikacionin “Google Earth” në nëntor 2023 tregojnë sasi minerali të ngjashme me fotot e thasëve të mëdhenj të bardhë të vitit 2018, si dhe me mbetjet që dyshohet të kenë qenë të hirit të oxhakut të uzinës së “Kurum” dhe që janë larguar për në Tajlandë. Këto mbetje janë të paketuara në thasë të mëdhenj të bardhë dhe të depozituara në terminalin e mineraleve në kalatën lindore të portit të Durrësit.

Hiri i furrnaltës me hark elektrik të Elbasanit është i vështirë për t’u paketuar, pasi me kalimin e kohës dhe nga shirat, thasët çahen, ndërsa metalet e rënda të hirit sedentohen në fund të thasëve. Duke qenë se eksporti i lëndëve të rrezikshme kërkon kushte të veçanta paketimi dhe transporti, me kosto të larta, si dhe leje nga vendi ku mbetjet kanë destinacionin përfundimtar, pra nga Tajlanda, si dhe nga vendet ku malli kalon transit. Këto kushte dhe kërkesa duhet ta kenë shtyrë “Kurum International” të deklarojë mallin që eksporton nga Porti i Durrësit si material jo të rrezikshëm. Konventa e Bazelit nuk e ndalon në mënyrë absolute eksportin e mbetjeve të rrezikshme nga vende si Shqipëria, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian apo e OECD-së, por vendos rregulla strikte për mënyrën se si këto mbetje mund të eksportohen.

Shqipëria, si vend nënshkrues i Konventës së Bazelit, duhet të përmbushë këto rregulla për t’i eksportuar këto mbetje. “Kurum International” këto kushte nuk i ka plotësuar. Kjo është e vërteta e eksportit të mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Durrësit. Nëse analizat nga kontejnerët që janë kthyer mbrapsht nga Singapori dhe po udhëtojnë për në Shqipëri do të pohojnë vetëm praninë e oksidit dhe hidroksidit të hekurit (ndryshkut) në kontejnerët, atëherë kompania “Kurum International” ka të drejtë dhe ngarkesat duhet të ridërgohen për në Tajlandë. Nëse ngarkesa rezulton me mbetje të rrezikshme, atëherë kompania “Kurum International” ka shkelur ligjet shqiptare, duke kryer deklarim të rremë për mallrat që ajo eksporton nga Porti i Durrësit dhe duhet të përballet me sanksionet për shkeljet e këtyre ligjeve. Për menaxhimin e mbetjeve, Shqipëria ka një legjislacion të gjerë. Ligji bazë është ligji nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i vitit 2011 (https://faolex.fao.org/ docs/pdf/alb113034.pdf), i cili synon parandalimin e mbetjeve, riciklimin dhe asgjësimin e tyre, për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, duke mos vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën, tokën bujqësore, bimët dhe kafshët.

Janë 35 ligje, vendime të Këshillit të Ministrave dhe udhëzime të ministrive të linjës, për menaxhimin e mbetjeve. Qeveria jonë, përmes një njoftimi për shtyp të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, deklaroi se, në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme. Ky është një veprim i drejtë. Në lojë nuk është kosto e dërgimit apo e rikthimit të anijeve, por imazhi i vendit dhe i strukturave ligjzbatuese të tij. Është mirë po ashtu, që qeveria reagoi menjëherë dhe fort, me shkëmbim intensiv të informacionit dhe duke hapur një hetim të përbashkët me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit (OLAF).

Read Entire Article