Kush po e djeg Shqipërinë?

1 month ago 22
Reklamë

Nga Artur Ajazi

Zjarre të tillë, nuk ka përjetuar ndonjëherë vendi. Zjarre në Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnje, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Bulqizë, Durrës, Korçë, etj..etj. Zjarre që të ngjallin frikë, ankth, zjarre që po shkaktojnë dëme kolosale në pyje, fusha, male, banesa, zjarre që po tymosin zonat bregdetare, turistike, fshatra dhe qytete. Zjarre që ndizen, dhe “mbijnë” sa njerëzit mundohen të qetësohen paksa. Çfarë bëjnë SHISH-i, dhe strukturat e tjera inteligjente ? Policia e Shtetit nuk mund ti bëjë ballë e vetme, kësaj situate kriminale, kësaj situate e cila kërkon mobilizimin e të gjitha institucioneve ligjzbatuese, për të zbuluar, arrestuar dhe dënuar maksimalisht, personat e paguar dhe të inkriminuar, që guxojnë dhe vënë zjarre, duke dëmtuar imazhin e vendit, aq më tepër në sezon turistik. Zjarret në Shqipëri, në asnjë mënyrë, nuk “bien vetë”.

Ato kanë autorësi, persona të papërgjegjshëm, të inkriminuar, njerëz të paguar, ashtu siç ka edhe portale dhe media që paguhen për të ngjallur frikën, ankthin, mosbesimin, revoltën artificiale ndaj strukturave të shtetit. Qoftë ky, edhe shteti më i fuqishëm i botës, nuk mund të përballet me një situate të tillë, që do ta quaja tamam, situatë lufte. Ti shkon me forca dhe mjete për të shuar një vatër të madhe zjarri në Vlorë, kur “hop” na ndizet zjarri në Fier, Lushnje, tek “Rana e Hedhun”, në Elbasan, Shkodër, etj.

Policia e Shtetit, ka arrestuar deri sot mbi 10 persona që ka zbuluar se ishin ata, zjarrvënësit e kullotave, barishteve, apo dhe pyjeve. Mijëra hektarë me pyje shekullore, dru frutorë, mijëra hektarë me pemë, ahu, pisha ullinj shekullorë, janë djegur nga dora kriminale, e atyre që hiqen si “të pafajshëm”, dhe se justifikohen se “nuk e mendova se do të digjej pylli apo kullota”. Ligji i miratuar dhe i kopsitur në Kodin Penal, duhet të bjerë fuqishëm mbi ata kriminelë, që po djegin Shqipërinë. Po ashtu, ligji, duhet të ndëshkojë strukturat parazite të shtetit, të cilat ja kanë “hedhur topin” e zbulimit dhe ndëshkimit, vetëm Policisë së Shtetit. Shqipëria në flakë, po kënaq sërish zemrat e opozitarëve. Dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Në vend të dënojnë aktet e tilla kriminale, ata dalin në ekrane dhe portale, duke nxitur keqësimin e situatës.

Kjo opozitë ishte, që kur ra tërmeti më i tmerrshëm në 100 vite në Shqipëri në 2019 , pa u gdhirë mirë, doli dhe kërkoi “dorëheqjen e qeverisë”. Eshtë sërish kjo opozitë apatike dhe dashakeqëse, që edhe pse shteti po lufton me flakët nga Veriu në Jug, del dhe bën politikë elektorale, me fatkeqësitë njerëzore dhe materiale. SHISH-i duhet të shkundet, AMP-ja duhet të shkundet, gjithë strukturat inteligjente duhet të dalin në terren, larg zyrave dhe oborreve të institucioneve, për të vënë në punë logjistikën e duhur që disponojnë, për të mundësuar zbulimin dhe arrestimin e kriminelëve që po djegin Shqipërinë. Kjo situatë nuk mund të tolerohet më.

Kush guxon të ndezë zjarre dhe të djegë pyjet, fshatrat dhe qytetet tona, kush paguhet dhe guxon të largojë me dashje dhe akte kriminale, turistët nga ky vend, duhet ta ketë vendin në burg.

Read Entire Article