Ditën e sotme në Komisionet Parlamentare në Kuvend është diskutuar marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve.
Drafti u prezantua nga ekspertët në komisionin e ligjeve, atë të Ekonomisë dhe Financave dhe në Politikën e Jashtme.
Ndërkohë në Komisionin e Ligjeve marrëveshja u miratua me 16 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Shqipëria dhe Italia në këtë marrëveshje të firmosur nga dy ministrat e jashtëm, Igli Hasani dhe Antonio Tajani në 6 shkurt të këtij viti angazhohen të njohin vitet e punës për pension të shqiptarëve dhe italianëve.
Marrëveshja do të zbatohet për sigurim për pleqërinë, invaliditetin, pension familjar (pasjetuesit), sigurim për përfitim për sëmundjet dhe barrë-lindjen dhe sigurim i papunësisë. Nga marrëveshja pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që kanë kontribuuar në Itali prej më shumë se 30 vitesh./vizionplus.tv