Zyrtarët e lartë amerikanë dhe rusë u takuan në Arabinë Saudite për negociatat më të gjera mes dy vendeve në tre vjet, duke rënë dakord të vazhdojnë planin për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe të ndjekin bashkëpunim të ngushtë për çështje të tjera.
Pas bisedimeve rreth pesë orëshe në pallatin mbretorë në Riad, sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio shprehu hapur ndryshimin drastik të qasjes së Uashingtonit ndaj Rusisë, krahasuar me atë të administratës së kaluar.
“E para që ne mendojmë dhe shpresojmë të ecim shumë shpejtë, është diplomacia. E dyta e cila është e vështirë, është pikëpyetja mbi Ukrainën dhe përfundimi i konfliktit. Dhe e treta është aftësia për të punuar së bashku në çështje të tjera gjeopolitike me interest të përbashkët. Gjithsesi çelësi që i hap të gjitha këto dyer, është përfundimi i konfliktit”, tha Marko Rubio.
Rubio shtoi se fund i konfliktit duhet të jetë i pranueshëm për të gjitha palët, përfshirë Ukrainën dhe Europën, megjithëse këto dy të fundit janë përjashtuar totalisht nga bisedimet.
Në frymë pozitive doli nga takimi edhe kryediplomati rus, dhe këshilltari kryesor i Putin për politikën e jashtme, Sergei Lavrov.
“Ekziston, një dëshirë e ndërsjellë për të gjetur zgjidhje dhe Rusia do të presë që SHBA të emërojë përfaqësuesit e saj. Pas kësaj do të nisim konsultimet përkatëse. Gjithashtu ne shpjeguam sot se çdo vendosje e forcave të armatosura të vendeve të NATO-s në Ukrainë, është krejtësisht e papranueshme”, deklaroi Lavrov.
Tezën e forcave paqeruajtëse në Ukrainë e hodhi një ditë më parë kryeministri britanik Kier Starmer dhe e mbështeti edhe kancelari gjerman Olaf Scholz pas takimit urgjent në Paris.
Ndërsa preidenti ukrainas, Volodymir Zelensky i cili ka shtyrë udhëtimin në Arabinë Saudite, nga Turqia kërkoi që Ukraina të mos lihet jashtë.
“Bisedimet nuk duhet të ndodhin pas shpinës së Ukrainës dhe aktorëve të tjerë kryesorë që preken nga pasojat e agresionit rus. Bashkimi Europian, Britania e Madhe dhe Turqia duhet gjithashtu të përfshihen në bisedime”, tha Zelensky.
Nga ana e tij, presidenti turk Erdogan tha se është i gatshëm për të ndihmuar bisedimet e paqes me Rusinë. Ai shtoi se inisiativa e fundit amerikane për ti dhënë fund luftës është në të njëjtën linjë që politika turke ka ndjekur që nga nisja e konfliktit.
/vizionplus.tv