Ndalohet muzika dhe prerja e flokëve, talebanët po kryejnë krime kundër njerëzimit

2 months ago 26
Reklamë

Muzika dhe prerja e flokëve në stilit perëndimor janë të gjitha akte të dënueshme në Afganistan, sipas një raporti të ri të OKB-së. E ashtuquajtura policia morale e talebanëve ka kufizuar të drejtat e njeriut, duke synuar më së shumti gratë dhe vajzat. Ministria e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Veseve, e themeluar nga talebanët kur mori pushtetin në vitin 2021, përhap rregullat e rrepta të ligjit islamik.

Këto rregulla përfshijnë ndalimin e aktiviteteve që konsiderohen si “joislamike”. Kur talebanët u kthyen në pushtet në Afganistan në gusht 2021, pas tërheqjes kaotike të trupave të udhëhequra nga SHBA-ja, grupi radikal islamik dukej i prirur të distancohej nga periudha e tij e mëparshme e sundimit në vitet 1990, duke e paraqitur veten si më të moderuar. Megjithatë, ky raport zbuloi se shumë nga të njëjtat rregulla të asaj epoke janë ringjallur, pavarësisht zotimit të mëparshëm të talebanëve për të respektuar të drejtat e grave brenda normave të “ligjit islamik”.

Midis 15 gushtit 2021 dhe 31 marsit 2024, OKB-ja dokumentoi të paktën 1033 raste ku oficerët talebanë kishin përdorur dhunë për të zbatuar rregullat e tyre. Aktet e talebanëve ndaj grave dhe vajzave janë aq të rënda sa një zyrtar i lartë i OKB-së tha kohët e fundit se ato mund të përbëjnë “krime kundër njerëzimit”.

Talibanët kanë mbyllur bizneset në pronësi të grave, kanë bërë të paligjshme paraqitjen e grave në filma, kanë mbyllur sallonet e bukurisë. Gratë nuk lejohen të hyjnë në parqe, palestra dhe banja publike. Burrat gjithashtu duhet të ndjekin rregullat për gjatësinë e mjekrës dhe modelin e flokëve. Policia e moralit mbylli 20 dyqane berberësh pasi dyshohet se shkurtuan mjekrën, si dhe kanë kryer prerje flokësh të stilit perëndimor, thuhet në raport.

Talibanët u takuan me zyrtarë të lartë të OKB-së dhe të dërguarit globalë në Katar në qershor, në një konferencë dyditore që përjashtoi gratë afgane, duke shkaktuar protesta nga grupet e të drejtave të njeriut.

/a.r

Read Entire Article