Në krye dy vëllezër shqiptarë, shkatërrohet organizata e drogës në Itali, trafikantët ndërtuan nëndetëse për të transportuar kokainën

5 months ago 17

ITALI– Policia e Torinos ka shkatërruar një organizatë të drejtuar nga dy vëllezër shqiptarë. Grupi importonte kokainë nga Amerika e Jugut dhe kanabis nga Spanja.

Ata gjithashtu kishin testuar një nëndetëse për ta përdorur në të ardhmen për transportin e lëndëve narkotike.

Organizata e trafikut të drogës kishte degë në vende të ndryshme: Ekuador, Belgjikë, Francë, Shqipëri, Spanjë dhe Itali.

Policia e Torinos arrestoi gjashtë anëtarë të bandës. Tre persona të tjerë u arrestuan jashtë vendit.

Arrestimet u kryen në Itali në provincat e Torinos dhe Frosinones dhe në Shqipëri, në bashkëpunim me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe Zyrën Qendrore Kombëtare Interpol të Policisë Shqiptare.

Grupi e kishte bazën në provincën e Torinos, dhe vepronte midis Ekuadorit, Belgjikës, Francës, Spanjës dhe Italisë.

Grupi dyshohet se furnizonte qendrat kryesore italiane të trafikut të drogës me sasi të konsiderueshme kokaine, hashash dhe marihuanë.

Sipas gjetjeve të Karabinierëve, organizata drejtohej nga dy vëllezër me origjinë shqiptare, të cilët, duke shfrytëzuar burime të konsiderueshme financiare, rekrutuan “ punëtorë droge ” në Itali dhe Shqipëri.

Këta bashkëpunëtorë kishin për qëllim transportin dhe shitjen e lëndës narkotike në territor.

Trafikantët, ndër të tjera, kishin projektuar dhe testuar një nëndetëse të vogël, e cila mund të pilotohej nga distanca, me qëllim për të transportuar drogën.

Automjeti, i ndërtuar, nuk ishte vënë ende në funksion. Gjatë hetimeve, të kryera nga nëntori 2021 deri në fund të vitit 2022, hetuesit kapën disa ngarkesa droge dhe sekuestruan mbi 204 kilogramë kokainë, hashash dhe marihuanë.

Kokaina ka shumë të ngjarë të ketë mbërritur në Itali nga Amerika e Jugut, duke kaluar përmes Holandës, ndërsa pjesa tjetër ka kaluar përmes Spanjës dhe Francës, duke përdorur makina të pajisura me dysheme dyshe të bëra vetë./vizionplus.tv

Read Entire Article