Dikur mjet kryesor transport, sot “e braktisur”/ Rilindja e hekurudhave shqiptare, trenat funksionalë në 2025 me 125 km në orë
Para viteve ’90 hekurudha ka qenë mjeti kryesor i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Sot, është pjesa e transportit rrugor thuajse e braktisur. Amortizimi është tejet i lartë dhe shkon deri në 80%. Nevoja për investime arrin në miliona euro, ndërsa nga buxheti shifrat që jepen, janë modeste. Borxhet e mbartura llogariten gjithashtu në miliona. […]
Para viteve ’90 hekurudha ka qenë mjeti kryesor i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Sot, është pjesa e transportit rrugor thuajse e braktisur. Amortizimi është tejet i lartë dhe shkon deri në 80%. Nevoja për investime arrin në miliona euro, ndërsa nga buxheti shifrat që jepen, janë modeste. Borxhet e mbartura llogariten gjithashtu në miliona. Transporti i brendshëm dhe ai i pasagjerëve kanë arritur shifra të papërfillshme.
Sot është aktiv vetëm një numër i vogël i trenave në linja dhe distanca të kufizuara, duke mos iu përgjigjur zhvillimit ekonomik të vendit dhe nevojës së njerëzve për të lëvizur.
Lënia jashtë vëmendjes e hekurudhave për dekada të tëra nuk është e vetmja arsye e gjendjes së vështirë në të cilën ato ndodhen. Mungesës shumëvjeçare të investimeve dhe mjeteve shumë të vjetërsuara iu shtua edhe dëmtimi i linjës hekurudhore në segmente të caktuara nga tërmeti i nëntorit 2019.
Sot hekurudhat ndodhen në një gjendje të vështirë financiare. Të ardhurat kanë ardhur duke u pakësuar nga viti në vit, për shkak të mungesës së udhëtarëve dhe uljes së volumit në transportin e mallrave, ndërkohë që shpenzimet mbeten të larta dhe një pjesë e tyre, mbulohen nga buxheti I shtetit, duke u bërë një barrë për taksapaguesit shqiptarë.
Rrjedhimisht, humbjet financiare të hekurudhave janë thelluar nga viti në vit, për shkak edhe të borxheve të papaguara që gjithashtu po rriten prej vitesh, duke rënduar gjendjen financiare të kësaj ndërmarrje.
Një tjetër tregues i rëndësishëm që flet për gjendjen e vështirë të hekurudhave është treguesi i punës tren kilometër, që në raport me vitin 2022 është ulur 12.6%, tregues i cili ka ndikuar në pakësimin e numrit të udhëtarëve dhe si rrjedhojë, edhe në uljen e të ardhurave.
Të dhënat tregojnë se sot gjithmonë e më pak qytetarë po përdorin trenat, duke e fituar të gjithë ciklin në një rreth vicioz.
Në vitin 2023, vetëm 7363 udhëtarë përdorën hekurudhat, me rënie të ndjeshme nga viti në vit. Përveç gjendjes së vështirë të trenave, në uljen e ndjeshme të frekuentimit të tyre ka ndikuar edhe zhvendosja e stacionit të Tiranës në zonën e Kasharit. Duke bërë që roli i tij të mos jetë më i njëjtë.
Pasi janë lënë në mëshirë të fatit për shumë vite, më në fund vëmendje duket se është kthyer edhe nga hekurudhat. Zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian ka bërë të nevojshëm lidhjen rajonale nëpërmjet rrjetit hekurudhor. Projekte që po financohen pjesërisht nga Bashkimi Evropian dhe ky Shqipëria është pjesë e këtij rrjeti. Një prej tyre është hekurudha Vorë-Hani Hotit. Kjo e fundit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.
Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm por edhe më herët shpejtësia e kalimit të trenave ishte shumë e ulët. Projekti tjetër i rëndësishëm është Durrës – Rrogozhinë.
Por nuk janë vetëm këto projekte të mëdha. Studimet kanë evidentuar se duhet zhvilluar linja hekurudhore edhe në pjesën veriore të vendit, për shkak të specifikave të saj, si zonë më të ardhura më të ulëta, por edhe në pjesën tjetër të territorit, ku ekzistojnë mundësitë e zhvillimit të transportit të njerëzve dhe mallrave.
Por ringjallja e hekurudhave do ta përballë këtë sektor me një ndër problemet që hasin aktualisht të gjitha industritë, që është mungesa e fuqisë punëtore. Aktualisht të punësuar në hekurudha janë 615 punonjës dhe numri i tyre është ulur me 44 kundrejt vitit 2022. Kjo në përpjekje për të shkurtuar shpenzimet dhe reduktuar fondin e pagave. Por rivendosja e transportit hekurudhor, më standarde evropiane dhe trena bashkëkohorë do të kërkojë fuqi punëtore të specializuar me paga dhe kushte specifike, që vendi aktualisht nuk i ofron.
Rilindja e hekurudhave ka nisur tashmë. Falë projekteve rajonale, që mbulojnë një pjesë të rëndësishme të kostove të financimit nga ndërkombëtarët, por edhe nevojës së brendshme që dikton zhvillimi ekonomik dhe kryesisht turizmi. Trenat nuk do të jenë më pjesë e kujtesës kolektive, por sipas parashikimeve, një realitet brenda vitit të ardhshëm.
What's Your Reaction?