Himara, Shkodra e dytë e Edi Ramës
Nga Mero Baze Socialistët e tjerë, sidomos ata që drejtojnë bashkitë bregdetare, kanë arsye të mos jenë shumë të gëzuar me fitoren në Himarë. Pas Shkodrës, që ishte fitorja më politike e Edi Ramës më 2023, fitorja e Himarës është fitorja e dytë, që tashmë do të jetë basti personal i tij. Ashtu sikundër brenda […]
Nga Mero Baze
Socialistët e tjerë, sidomos ata që drejtojnë bashkitë bregdetare, kanë arsye të mos jenë shumë të gëzuar me fitoren në Himarë. Pas Shkodrës, që ishte fitorja më politike e Edi Ramës më 2023, fitorja e Himarës është fitorja e dytë, që tashmë do të jetë basti personal i tij.
Ashtu sikundër brenda vitit Shkodra u shndërrua në polin më të madh të investimeve bashkiake në vend, me projekte që po çlirojnë një potencial të pazakonte turizmi në një qytet që për tridhjete vjet ishte izoluar në kullën e tij të “gjakmarrjes” me socialistët, Himara rrezikon të kthehet në një pol të ri që do thithë gjithë investimet qeveritare për bregdetin e jugut.
Ambicia e Edi Ramës për të dëshmuar se Himarën nuk e donte për të treguar epërsi politike, por për projektin e tij të madh të turizmit në Jug, i cili në fakt mund të komplikohej me një kryebashkiak me axhendë nacionaliste, tani ka lënë topin në fushën e tij.
Ndaj fotografia e sotme e Edi Ramës me Vangjel Tavon me laps e letër, është simbolika e kësaj axhende të re.
Sfida e parë e Himarës është të bëhet një bashki e unifikuar. Fshatrat e Labërisë që janë pjesë e kësaj bashkie dhe që mund të jenë alternativa më e mirë për turistët e bregdetit për të ndryshuar ditët e tyre të pushimit, janë ende të palidhur me rrugë për bregdetin. Përveç rrugës Kuç- Qeparo, fshatrat e tjerë janë të palidhur me rrugën kryesore. Kështu Tërbaçi, që po e kryqëzojnë pse ka votuar 98 për qind kundër një kandidati nacionalist grek apo Vranishti, ende nuk kanë një rrugë të lidhen me rrugën kryesore, që të çon në bregdet, ndërsa Çorraj e Fterra ende e kanë të paasfaltuar rrugën që të zbret në Borsh e Qeparo.
Unifikimi i kësaj bashkie me fshatrat e Labërisë është një ng kushtet kryesore për të funksionuar si bashki dhe jo si territory, siç është tani.
Në gjendjen që është Bashkia e Himarës, ka një mungesë të theksuar komunikimi mes zonave, duke të krijuar idenë e një territori me disa etnitete jo vetëm kulturore apo etnike, por dhe ishuj të izoluar gjeografikisht.
Himara duhet të jetë një bashki e përshkueshme dhe e lidhur me çdo fshat të saj. Ky është kusht kryesor që të quhet bashki.
Së dyti, Himara ka nevojë urgjente më shumë se çdo pjesë tjetër e vendit, të zgjidhë problemin e regjistrimit të pronave, pasi ato mbajnë peng zhvillimin dhe frenojnë zhvillimin e një zone me rëndësi historike për turizmin në Shqipëri.
E vërteta është se Himara ka ngelur e fundit për nga zhvillimi pikërisht për shkak të ngarkesës politike dhe etnike mbi pronat, duke e shndërruar problemin tonë kombëtar të pronave edhe në problem ndërkombëtar.
Një zgjidhje e përgjegjshme, e drejtë dhe mbi të gjitha transparente e këtij problem, jo vetëm në Himarë, por dhe fshatrat rreht saj, do t’i jepte një kuptim të ri arsyes përse socialistëve u duhej Himara.
Dhe së fundmi, shteti duhet të jetë i përgjegjshëm dhe në peshën e tij të investimeve në infrastrukturë në atë bregdet, në përpjesëtim me investimet e mëdha private që po bëhen. Bregdeti shqiptar është ende me probleme të forta me infrastrukturën e energjisë, me furnizimin me ujë, me rrugët në funksion në turizmit dhe qendrat e nevojshme të mëdha të pastrimit të ujrave të zeza, të cilat janë përgjegjësi e qeverisë.
Përpjekja për t’i deleguar pastrimin e ujërave bareve dhe restoranteve duket që është një shpikje klienteliste e pamatur, e pamenduar dhe e pallogaritur ekonomikisht, që shkatërron dhe më tej nevojën për energji në zonë dhe është jo rentabël nga pikëpamja ekonomike, pasi harxhohen miliona euro nga privatët dhe shumë herë më tepër energji elektrike për të pastruar disa ujëra që bashkohen prapë me ujëra të zeza.
Pastrimi i ujërave të zeza duhet të bëhet me qendra të mëdha pastrami, investuar nga qeveria, dhe subjektet private mund të taksohen për këtë, por decentralizimi i tyre është gjobë klienteliste, pa asnjë fryt për ekonominë.
Qeveria duhet t’i përgjigjet ritmit të lejeve të ndërtimit që po jep në atë zonë, me një ritëm infrastrukture, që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm.
Dhe e gjitha kjo do miliona nga qeveria, dhe një administratë të përgjegjshme, ku drejtori i Kadastrës të mos ndërrohet çdo muaj pas çdo certifikate dhe investimet në infrastrukturë të jenë të studiuara dhe afatgjatë.
Është kjo arsyeja që Himara do të jetë Shkodra e dytë e Edi Ramës, tashmë në Jug, për të cilën ai hyri në lojë për baste politike, por në fund do jetë një bast ekonomik. Të shpresojmë të jetë i fituar.
What's Your Reaction?