Si i ruajnë shqiptarët kursimet e tyre në lekë? Çfarë preferojnë bizneset dhe çfarë zgjedhin qytetarët?
Si rezultat i normës më të lartë të interesit, por jo vetëm, depozitat më të preferuara në lekë janë ato me afat mbi 2 vjet për individët, ndërsa për bizneset ato me afat njëvjeçar. Përkatësisht, vlera totale e depozitave me afat mbi 2 vjet arriti në 168 miliardë lekë në fund të gjysmës së parë […]
Si rezultat i normës më të lartë të interesit, por jo vetëm, depozitat më të preferuara në lekë janë ato me afat mbi 2 vjet për individët, ndërsa për bizneset ato me afat njëvjeçar. Përkatësisht, vlera totale e depozitave me afat mbi 2 vjet arriti në 168 miliardë lekë në fund të gjysmës së parë të vitit, ku më shumë se 90% e kësaj shume, ose 160 miliardë, e përbënin depozitat e individëve.
Në vend të dytë renditen depozitat me afat njëvjeçar, ku shqiptarët numërojnë rreth 117 miliardë lekë kursime gjatë qershorit, përafërsisht 1 miliardë lekë më shumë se në fund të muajit maj. Nga ana tjetër, edhe depozitat pa afat klasifikohen si më të kërkuarat nga shqiptarët, gjë që vërehet në rritjen me 596 milionë lekë krahasuar me vlerën totale të pesëmujorit të parë. Më pak të preferuara për individët mbeten depozitat me afat 1 muaj, vlera e të cilave arrin në vetëm 1.8 miliardë lekë.
Shuma e depozitave me afat njëvjeçar ka arritur 8 miliardë lekë për bizneset, ndjekur nga depozitat pa afat, të njohura ndryshe si llogari kursimi pa normë interesi, me 5 miliardë lekë në total. Depozitat me afat gjashtëmujor vazhdojnë të mbeten më pak të zgjedhura nga bizneset, të cilat kapën shifrën 692 milionë në fund të gjashtëmujorit të parë.
Po sa ka arritur vlera e depozitave në lekë për individët dhe bizneset?
Kursimet në lekë kanë pësuar një rënie të ndjeshme në fund të muajit qershor, me përjashtim të atyre të individëve dhe më pak bizneseve. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se mbi 776 miliardë ishte totali i depozitave në lekë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, rreth 2.9 miliardë më pak se në muajin maj. Depozitat në qershor kanë shkuar shumë pranë vlerës së depozitave të janarit, ku 776,406 lekë ishte shuma e tyre gjithsej.
Kursimet e bizneseve dhe individëve kanë pësuar një rritje të vogël, ndërsa kategoritë e tjera kanë qenë ato që kanë ndikuar më së tepërmi në rënien e vlerës totale të depozitave. Konkretisht, vlera e depozitave të korporatave jo-financiare private arriti nga 109 miliardë që ishte në muajin maj në 112 miliardë lekë, ndërsa vlera e depozitave të korporatave jo-financiare publike arriti nga 21 miliardë në 22 miliardë lekë.
Për sa i përket individëve, numri dhe vlera e depozitave të tyre në banka është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme. Sipas informacioneve të publikuara nga Banka Qendrore, shuma e depozitave të tyre në lekë kapte shifrën 431 miliardë në fund të pesëmujorit, ndërkohë që në fund të muajit qershor, kjo shifër arriti në afro 595 miliardë, gati 164 miliardë lekë më shumë.
What's Your Reaction?