Mbyllja e postave serbe, BE: Nëse situata nuk ndryshon, masat ndaj Kosovës mund të ashpërsohen
Bashkimi Evropian shpreson që Kosova të dëgjojë mesazhin e bllokut dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë sa i përket vendimeve të fundit, që janë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë […]
Bashkimi Evropian shpreson që Kosova të dëgjojë mesazhin e bllokut dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë sa i përket vendimeve të fundit, që janë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.
Ai tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, në qershor përmes një raporti dërguar shteteve anëtare kishte rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Atëbotë, burimet diplomatike i thanë Radios Evropa e Lirë se në bllok nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Stano tha se blloku evropian ai ka përcjell qëndrimin Qeverisë së Kosovës në shumë mënyra dhe nuk është vetëm BE-ja që po kundërshton vendimet e fundit të autoriteteve kosovare.
“Praktikisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë të mos angazhohet në këtë seri hapash të pakoordinuar, të njëshëm dhe negativë. Shpresoj që ata më në fund do të dëgjojnë mesazhin tonë dhe të na ndalojnë që të shqyrtojmë se çfarë lloje masash ne do të vendosnim në përgjigje ndaj Kosovës nëse situata nuk ndryshon”, tha Stano.
Më 5 nëntor, autoritetet në Kosovë mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë, pasi thanë se ato vepronin në veri të Kosovës pa licencë.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara e kritikuan këtë vendim. Uashingtoni tha se veprimet e pakoordinuara të Kosovës “përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.
Komuniteti ndërkombëtar po kundërshton edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër, që qeveria e Kosovës synon ta hapë për trafik.
Shtetet e QUINT-it, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, më 2 Gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve./REL
What's Your Reaction?