Hetimet për vdekjen e avokatit/ Saimir Visha hedh dyshime për aksidentin ku humbi jetën Leonard Dingo: Është vrasje
Kjo që shihni në këto pamje është makina e cila përplasi për vdekje avokatin Leonard Dingo në orët e para të datës 21 gusht. Dy ditë më vonë policia zbuloi se autor I kësaj ngjarje ishte 22 vjeçari Erjon Kacani. Ai ka qenë duke lëvizur në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë” dhe për shkak të shpejtësisë tej […]
Kjo që shihni në këto pamje është makina e cila përplasi për vdekje avokatin Leonard Dingo në orët e para të datës 21 gusht.
Dy ditë më vonë policia zbuloi se autor I kësaj ngjarje ishte 22 vjeçari Erjon Kacani. Ai ka qenë duke lëvizur në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë” dhe për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara ka përplasur për vdekje avokatin që po kalonte rrugën.
Pas përplasjes e cila është fiksuar në pamjet e kamerave të sigurisë I riu u largua nga vendngjarja drejt fshatit Kodër Arapaj ku braktisi mjetin dhe u largua pa gjurmë.
Policia po e heton ngjarjen si aksident dhe po vijon punën për arrestimin e autorit të ngjarjes por kolegët e avokatit e shohin ngjarjen në një tjetër prespektivë.
“Është për të ardhur keq që muajt e fundit kemi vrasje, tentative vrasje të avokatëve. Ngjarja e fundit ku kolegu ynë Leonard Dingo thuhet se ka vdekur në aksident por mekanizmi nuk tregon se kemi të bëjmë me një aksident por vrasje. Nuk jam i sigurt se nuk e njoh dosjen.
Aksidenti është diçka që ndodh nga pakujdesia por veprimet post aksidentit na bëjnë të dyshojmë.
Avokati merrej me çështje civile dhe këto çështje kur vijnë drejt fundit kanë problematikat e veta sepse çdo marrëveshje me avokatin lidhur me palën bëhet një titull ekzekutiv.’-shprehet Saimir Visha, drejtues i shoqatës së avokatëve penalistë.
Muajt e fundit ka pasur disa ngjarje të rënda që kanë kërcënuar njerëz të drejtësisë si tritoli në Shkodër ndaj shtëpisë së gjyqtarit apo sulmi fizik ndaj avokatit Sokol Mëngjesi që sipas Saimir Vishës kërkojnë një reagim të shpejtë nga autoritetet.
‘Situata është e rëndë kemi veprime ndaj avokatit, gjyqtarit dhe prokurorit por kemi veprime dhe të policisë që me armën e shërbimit kryejnë vrasje. Janë një sërë situatesh që duan shpjegimin e tyre sa më shpejt.”
What's Your Reaction?