Një lojë me orarin e udhëtimeve
Nga Bajram Peçi Ka ngjashmëri titulli i këtij shkrimi me një novelë të njohur të shkrimtarit japonez, Seicho Matsumoto, por është thjesht një rastësi në zgjedhje. Po e rastit vjen të jetë dhe motivi që protagonisti i novelës është i akuzuar për korrupsion, ndaj dhe ndërton një orar udhëtimesh ku janë thurrur e kalkuluar përsosmërisht […]
Nga Bajram Peçi
Ka ngjashmëri titulli i këtij shkrimi me një novelë të njohur të shkrimtarit japonez, Seicho Matsumoto, por është thjesht një rastësi në zgjedhje. Po e rastit vjen të jetë dhe motivi që protagonisti i novelës është i akuzuar për korrupsion, ndaj dhe ndërton një orar udhëtimesh ku janë thurrur e kalkuluar përsosmërisht oraret. Gjithsesi, lexuesi arrin i përqendruar të kuptojë së fundmi nga novela një mori oraresh e udhëtimesh të ngatërruara, por, pasi të lexoni me poshtë, dyshoj shumë se do nxirrni ndonjë përfundim me këtë ngrehinën korruptive të udhëtimit që pason.
Orari i udhëtimit të plehrave të rrezikshme, produkt i furrave të prodhuesit “Kurum”, nuk do ishte njohur kurrë nga lexuesi, dhe s’kish pse, nëse “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, nuk do ta bënte publike në datën 5 gusht 2024!? Opinioni mori dieni për një anije të linjës Maersk, që kish nisur një udhëtim në fund të muajit korrik, me një ngarkesë me mbetje të rrezikshme të marrë në portin e Durrësit. Thuhet se janë 100 kontenjerë me hirin e furrave të metalurgjisë elektrike. Vënd-dorëzimi paskan patur Tajlandën.
Më tej, pas alarmit, autoritetet portuale në Singapor marrim vesh se i kanë bllokuar kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe anija po i rikthen në Durrës!? Përpara se të nisen për Tajlandë zhurmaxhinjtë përmendin një ankorim në Kroaci; më pas humbet sinjali i vendndodhjes së anijes; vjen në këtë kohe alarmi nga “Basel Action Network”. Anija me mbetje si ngelet përpos se të kthehet për Durrës.
Para se të mbërrijnë në Durrës, dy titullare ministrish në Shqipëri bëjnë me dije përmes një dokumenti zyrtar se nuk do pranohet asnjë anije me mbetje, se ajo nuk ka lëshuar asnjë autorizim për transporte të tilla, çka është një detyrim ligjor!? Prokuroria e Durrësit, që ka bllokuar dokumentet e transportit, ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” si një kompani import-eksporti mineralesh dhe kompaninë turke “Kurum International” si eksportuese e mbetjeve të rrezikshme, me marrës të ngarkesës kompania “GS Minerals D.o.o e regjistruar në Rijeka të Kroacisë”.
Deri këtu, është e mjaftueshme që lexuesi ta humbasi fillin, por jo, të na ndjejë se ka ende lojë oraresh e udhëtimesh! Ndërsa kompania “Kurum International” mohon përmes një deklarimi publik se nuk ka lidhje me eksport të mbetjeve të rrezikshme, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përmes një njoftimi për shtyp, deklaron se eksporti i mbetjeve nuk ka qenë eksport nga Shqipëria, por tranzit nga një kompani nga Kosova!? U bëka fjalë pra për një tranzit ndërkombëtar prej Kosove të koncentratit të metalit të zinkut, që është me origjinë nga Kosova, me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk”. Kjo firmë sqaron se ata qëndronin vetëm pas dërgesës drejt Kinës përmes portit të Durrësit, që sipas tyre ishte mineral zinku nga miniera e Trepçes, që ata e eksportojnë që prej vitit 2017!?
Vijon në këtë lojë kompanish e oraresh udhëtimi një njoftim prej kompansë A.P. Moller- Maersk, të cilët informojnë organet dhe publikun se kontenjerët me origjinë nga Shqipëria ishin ngarkuar në Trieste dhe se asnjë nga këto kontenierë nuk është deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme!? Ata do të kishin refuzuar t’i transportonin, po të dinin se ishin mbetje të rrezishme.
Te “Ushtari i mirë Shvejk”, Hashek përmend më pak emra e orare udhëtimi te lokomotivës së mbetur në x shina treni, që dëgjuesit t’i binte damllaja.
Kur një nga fushat me pjellore të Shqipërisë, ajo e Shkumbinit bri Elbasanit, u zu nga “Çlirimi i dytë i Shqipërisë”, ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik, askujt nuk i shkonte ndërmend se ajo do shndërrohej në burim fatkeqësish për popullatën! E pa mbrojtur nga helmet që prodhoheshin, si në komunizëm ashtu dhe në kohën e pronësisë turke, kjo ngrehinë e prapambetur industriale u bë burim kanceroz, me pasoja për shëndetin e elbasanllinjve. Sot, 500 punëtorët e Kurum u njoftuan se janë të pushuar nga puna, por çdo e keqe ka dhe anën e saj të mirë!
Kompania Kurum nuk është se dëmtohet finaciarisht nga mbyllja e prodhimit të hekurit të ndërtimit. Asaj i mjaftojnë fitimet që i vijnë nga prodhimi i energjisë elektrike, produkt ky i disa ish HEC-eve, dikur pronë publike, që të korruptuarit në drejtim të shtetit shqiptar, tashmë të shpallur non grata, i shitën kësaj kompanie. Ajo që nuk dihet nga kjo shitje është: çfarë fitoi familja?
Duhen shumë lopata për të varrosur të vërtetën.
What's Your Reaction?