Shtohen rastet me sëmundje seksualisht të transmetueshme, të rinjtë kanë turp të blejnë prezervativ
Të rinjtë në Shqipëri kanë ende drojë t’i drejtohen farmacive për të blerë prezervativë apo mjete të tjera mbrojtëse për kryerjen e marrëdhënieve intime. Farmacistja Kleida Blliku thotë se grupmosha që ka më shumë interes për këto produkte është 18-35 vjeç. “Më pak për pjesën e kontraceptivëve mujorë dhe më shumë përpjesën e kontraceptivëve të […]
Të rinjtë në Shqipëri kanë ende drojë t’i drejtohen farmacive për të blerë prezervativë apo mjete të tjera mbrojtëse për kryerjen e marrëdhënieve intime.
Farmacistja Kleida Blliku thotë se grupmosha që ka më shumë interes për këto produkte është 18-35 vjeç.
“Më pak për pjesën e kontraceptivëve mujorë dhe më shumë përpjesën e kontraceptivëve të emergjencës”, tregon ajo për televizionin A2. “Kemi edhe persona të cilët akoma kanë droje për marrjen e të tilla produkteve duke qenë pak më të ndrojtur duke thënë akoma që më duhet për një shok apo shoqen”.
OBSH ngre alarmin për një rrezik më të shtuar të përhapjes së SST për shkak të uljes së përdorimit të prezervativëve, situatë e cila duket e njëjtë edhe në Shqipëri.
Mjeku infeksionist Arjan Harxhi thotë se vihet re një trend në rritje i personave të prekur me sëmundje seksualisht të transmetueshme, sidomos rastet me sifiliz, ndërkohë e paqartë është situata tek adoleshentët.
“Për sa i përket situatës në Shqipëri, do të thosha që edhe pse nuk kemi shifra zyrtare raportimesh në liudhgje me këto infeksione, përshtypja ime si ekspert që merrem me këto problematika është që këto janë në rritje. Shifrat e sifilizit janë në rritje këto 2-3 vitet e fundit, që nuk e kishim parë herë të tjera në Shqipëri. Mosha më e shpeshtë është ajo 20-30 vjeç dhe ka trend në rritje të uljes së moshës së diagnozës”, thotë mjeku për televizionin A2.
Një rritje të numrit të të infektuarve me këto sëmundje është vënë re te burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burrat. “E konsiderojnë si grup risku sa i përket infeksioneve seksualisht të transmetueshme për arsye që lidhen me modelet e sjelljeve seksuale, për arsyen që lidhen me aspekte biologjike të riskut më të madh të transmetimit të infeksioneve”, thotë ai.
Sipas një raporti të OBSH-së, pothuajse një e treta e adoleshentëve, raportuan se nuk përdornin prezervativ ose pilula kontraceptive gjatë marrë dhënieve seksuale. Në periudhën 2014 dhe2022, përqindja e të rinjve seksualisht aktivë që përdorën një prezervativ gjatë seksit ra nga 70 në 61 për qind tek të rinjtë dhe nga 63 në 57 për qind te vajzat.
What's Your Reaction?