Lajçak nga Kosova: Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiçit për Marrëveshjen e Ohrit
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kryeminsitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.
Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide. Ai po ashtu tha se kohë pas kohe ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshje.
“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha Lajçak.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një konference për media, u pyet për deklarimin e Lajçakut. Ajo tha se ishte në takim me homologun e saj turk, kur Lajçak deklaroi se Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiqit dhe nuk ka informacione konkrete për temën.
“Unë mendoj se zoti Lajçak e ka fjalën për një tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjë që është një qasje tërësisht e papranueshme për ne”, deklaroi ajo.
Në takimin në Prishtinë me Bislimin, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës, Lajçak tha se është arritur pajtim për një rund të ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por nuk tregoi ndonjë datë për mbajtjen e këtij takimi.
Lajçak tha se me Bislimin diskutoi për një sërë çështjesh, përfshirë hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.
“Ne po ashtu diskutuam për Urën e Mitrovicës dhe hapjen e saj për qarkullim të automjeteve. Besoj se qëndrimi i BE-së është i njohur, por do ta përsëris: ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne diskutuam për detajet e kësaj”, tha Lajçak.
Ndryshe, kësaj radhe, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në Bruksel, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.
Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.
BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.
Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./rel
What's Your Reaction?