Ditët e zeza të krenarisë së Kosovës

Ditët e zeza të krenarisë së Kosovës Minatorët po e kërkojnë pagën. Prej dy muajsh nuk kanë marrë asnjë cent për punën që bëjnë në nëntokën e Kosovës, në Trepçë të Mitrovicës. Durimit të tyre i ka ardhur fundi para disa ditësh, kur edhe e kanë bojkotuar komplet punën. Rrëfimet e tyre janë të dhimbshme […]

Shtator 10, 2024 - 10:50
 0
Ditët e zeza të krenarisë së Kosovës
Reklamë
Reklamë

Ditët e zeza të krenarisë së Kosovës
Minatorët po e kërkojnë pagën. Prej dy muajsh nuk kanë marrë asnjë cent për punën që bëjnë në nëntokën e Kosovës, në Trepçë të Mitrovicës.

Durimit të tyre i ka ardhur fundi para disa ditësh, kur edhe e kanë bojkotuar komplet punën.

Rrëfimet e tyre janë të dhimbshme dhe me shumë sakrifica. Por, kanë veç një kërkesë.

Reklamë
Reklamë

“Kërkesa jonë e vetme janë pagat. Kushtet janë të tmerrshme. Nuk ka kushte kurrfarë, mirëpo nuk jemi duke kërkuar kushte të tjera përpos pagës. Po bëhen dy muaj. Është problem se 90% varemi nga kjo pagë”, thotë minatori Beqir Sahiti, duke treguar se punën në Trepça e ka nisur që 19 vjeç.

Sahiti dhe kolegët e tij që ende nuk i kanë marrë pagat, prej afro një muaji refuzojnë të paraqiten në vendin e punës.

Përveç Sahitit, edhe minatori Fevzi Berisha bëri thirrje që kërkesat të plotësohen.

“Ne vazhdimisht kemi probleme me paga. Kuptohet që gjithkush punon për pagë dhe po shpresojmë që tash na kanë premtuar se do të bëhet një zgjidhje dhe kemi shpresa që do të arrihet një zgjidhje”.

Kurse minatori Refik Beqiri tregon se problemi me pagat nuk është i ri.

“Për një javë ose dy bëhet diçka, por 2 muaj pa paga. Prej marsit ka vazhduar ky avaz gjithmonë, ka 10 ditë, ka 20 ditë. Kjo është prej marsit. Kjo nuk ndodh prej dy muajsh”.

Ekzekutimin e pagave për minatorët po e kërkon edhe Sindikata e Pavarur të Minatorëve.

Ata kanë thënë se nuk po kërkojnë diçka jolegjitime, por shpagimin e mundit të tyre, që është ekzekutimi i pagave.

“Kuptojeni se nuk jemi duke kërkuar diçka jolegjitime, por kërkojmë shpagimin e mundit tonë, pra pagën që buron nga Ligji i Punës”.

Sindikata ka thënë se minatorët gjithmonë janë të gatshëm për llogaridhënie, por sipas tyre, minatorët nuk janë ata që duhet të japin llogari për menaxhimin dhe financat e ndërmarrjes.

“Minatorët e kanë dëshmuar me punë dhe përkushtim detyrimin që kanë pasur, pra prodhimin sa më të lartë, edhe pse pa kushtet elementare për punë siç është siguria në punë, që çdo herë kemi qenë të rrezikuar”.

Ata janë shprehur se është koha që Qeveria të reflektojë, sepse minatorët sipas tyre, janë mundur t’i shfaqin pakënaqësitë me anë të grevave dhe ngujimeve në minierë.

Trepça me 1.200 minatorë

Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, ndërsa paga mesatare e tyre është 740 euro.

Për shkakun e mosekzekutimit apo të vonesës së pagave, minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë qershorit dhe prillit të sivjetmë. Në tetorin e vitit të shkuar, 10 ditë kanë qëndruar mbyllur në horizontet e Trepçës.

Greva e vitit të shkuar është ndaluar pas një marrëveshjeje të arritur me disa deputetë të partisë në pushtet, në të cilën parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se më datën 10 të çdo muaji.

Në vitin 1989, minatorët e Trepçës patën hyrë në grevë. Nëpërmjet saj, minatorët kërkuan të drejtat kushtetuese dhe protestuan kundër revokimit të autonomisë së Kosovës të garantuar, sipas Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë Socialiste.

Meqenëse miniera përfaqësonte një dimension të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kur minatorët u përcaktuan për grevë urie, jeta ekonomike për pak sa u mbyll në tërësi.

Në grevë atë kohë ishin 1 mijë e 300 minatorë, të cilët kishin për qëllim mbrojtjen e autonomisë së Kosovës.

Qeveria e drejtuesit nuk japin shpresë për paga

Qeveria, në një deklaratë të lëshuar, është zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për çështjen e Trepçës, por ka theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do rifillojë rritja e prodhimit.

“Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit…

Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër, përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, – theksohet në deklaratën e Qeverisë.

Qeveria ka deklaruar se pret që ndërmarrja dhe udhëheqja e saj të marrë masa që rrisin kontrollin e brendshëm operativ e financiar, si dhe reforma rrënjësore që transformojnë afarizmin e tyre, duke shtuar se mbështetje i ka dhënë Trepçës gjatë gjysmës së parë të këtij viti, por se ajo “ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme”.

“Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë eurosh, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin.

Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”.

Administrata drejtuese e Trepçës e ka arsyetuar mosekzekutimin e pagave me mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit.

Kryeshefi i ndërmarrjes Trepça, Bashkim Kurti, thotë se gjendja financiare e kombinatit metalurgjik është rënduar nga sasia e ulët e prodhimit dhe e shitjes së produkteve.

“Situata e krijuar nuk është më e mira e mundshme. Nga kjo situatë mund të dalim nëse punojmë të gjithë bashkë. Nëse ngulim këmbë kështu se ndryshe nuk bëhet, e dimë që kjo nuk na çon askund. I dimë problemet, i dimë telashet…”

Ai gjithashtu tha se kanë dorëzuar në Qeveri një plan të jashtëzakonshëm dhe shpresojnë në miratimin e saj.

“Jemi duke punuar në vazhdimësi dhe intensivisht me Qeverinë e Kosovës dhe në vazhdimësi po përmendet pse ky plan nuk është bërë më herët. Plani i punës ekziston, është i aprovuar në tetor të vitit të kaluar.

Në bazë të këtij plani, qeveria i ka ndarë 3.3 milionë euro për Trepçën. Ato para janë harxhuar në gjashtëmujorin e parë.

Kjo që po kërkojmë tani është plan i jashtëzakonshëm, kuptohet qartë. E planet e jashtëzakonshme duan trajtim special. Duan kohë e angazhim dhe qasje tjetër”.

Trepça, rënia dhe shkëlqimi i saj

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionere: 80% e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20% janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Me rreth 20.000 punëtorë, është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet ’90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Por, Trepçën e kanë përcjellë probleme edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999.

Makineritë e vjetruara mbi 50 vjet dhe mungesa e mirëmbajtjes janë shndërruar në probleme të vazhdueshme.

Grevat e minatorëve, po ashtu, rikthehen kohë pas kohe. Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kanë gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar.

Në fund të muajit tetor të vitit 2023, për dhjetë ditë me radhë, ata qëndruan në grevë brenda minierës, pikërisht për shkak të mosrealizimit të pagave dhe ankesave për kushtet e punës.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Trepça asnjëherë nuk ka arritur të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik.

Qeveria aktuale, në disa raste, është zotuar se do ta bëjë Trepçën “ndërmarrje fitimprurëse”.

Për investime në këtë kombinat, në vitin 2023, Qeveria e Kosovës miratoi një kredi prej 20 milionë eurosh. Por, këto mjete financiare nuk janë ekzekutuar ende.

Gjendja e vështirë financiare e kësaj ndërmarrje përmendet edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023.

Aty theksohet se ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj.

Në raport përmendet edhe se si ndërmarrja është përballur gjatë vitit të kaluar me procedura përmbarimore në vlerë mbi 6.5 milionë euro.

Produktet kryesore që Trepça prodhon janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera.

Miniera e Stantërgut, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes.(Monitor)

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.