“Nuk jemi shërbëtorë të Rusisë”, presidenti Vuçiç në OKB: Serbët ne Kosovë po vuajnë
Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka theksuar se Beogradi ka politikat
Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka theksuar se Beogradi ka politikat e tij dhe se nuk i shërben as Rusisë e as SHBA-ve.
“Të gjithë në botë flasin për Ukrainën, askush nuk guxon të flasë për Serbinë, por edhe kur flasin, ata thonë se si ne do ta nisim luftën në Ballkan nën urdhrat e Rusisë. Ata kanë gënjyer gjatë gjithë kohës për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ne nuk jemi as shërbëtorë të Rusisë, e as të SHBA-së. Ne kemi politikat tona dhe interesat tona”, tha Vuçiç.
Vuçiç akuzoi shtetet perëndimore për armatosjen e Kosovës, teksa tha se sipas rezolutës 1244 të OKB-së, të vetmet forca të armatosura në Kosovë janë ato të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s.
“Ata që kanë kryer agresion kundër Serbisë, që tentuan të ndajnë një pjesë të territorit të saj, ende tentojnë të na bindin se është zgjidhja e vetme demokratike dhe e arsyeshme, që ‘Kosova dhe Metohia’ të shkëputet nga Serbia. Ata i kanë ofruar armë të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës, që nesër do të bëhen Forcat e Armatosura shqiptare në territorin e Serbisë”, tha ai.
Vuçiç deklaroi se komunitetit serb në Kosovë, nuk i ofrohet as drejtësi, as liri.
“Paarsyeshmërinë e ‘politikës së pushtetarëve’ të Prishtinës, fanatizmin dhe persekutimin e çdo gjëje serbe në Kosovë, e tregojnë një sërë lëvizjesh shqetësuese – që nga ndalimi i pagesave në monedhën serbe – dinari në Republikën e Kosovës e deri te ndalimi i shërbimeve postare e ndalimin e vizitave të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në Kosovë”, deklaroi presidenti serb.
Presidenti serb përsëriti se vendi i tij mbetet i përkushtuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se do të “luftojë për ruajtjen e paqes./vizionplus.tv
What's Your Reaction?