“Ndarja nga Shqipëria në rrugën e integrimit europian, e gabuar”- Hungaria ofron të ndërmjetësojë mes Shkupit dhe Sofjes!
Hungaria është e gatshme të përdorë presidencën e saj të Bashkimit Evropian dhe të jetë ndërmjetëse midis Shkupit dhe Sofjes për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen. Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban deklaroi nga Ohri se Maqedonia e Veriut duhet të ishte prej kohësh vend anëtar i BE-së. Ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në rrugën drejt […]
Hungaria është e gatshme të përdorë presidencën e saj të Bashkimit Evropian dhe të jetë ndërmjetëse midis Shkupit dhe Sofjes për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen.
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban deklaroi nga Ohri se Maqedonia e Veriut duhet të ishte prej kohësh vend anëtar i BE-së. Ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian Orbani e quajti si gabim dhe i propozoi homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, që të ndërmjetësojë mes Shkupit dhe Sofjes.
“Nevojitet marrëveshje me Bullgarinë dhe për këtë kam një propozim, të cilin ia përcolla zotit kryeministër dhe i thashë se ne jemi të gatshëm që të shfrytëzojmë kryesimin me BE-në, që të ndërmjetësojmë rreth kësaj çështje. Nëse palët janë të gatshme që ta pranojnë Hungarinë si ndërmjetësuese, kjo është punë e tyre, por ne jemi të përgatitur dhe dëshirojmë që të punojmë në këtë drejtim që të arrihet një zgjidhje e cila do t’i pështatej edhe Maqedonisë edhe Bullgarisë. Por kjo u takon palëve. Ne jemi këtu që të ofrojmë zgjidhjet më të mira”, deklaroi Orban.
Mickovski: RMV nuk duhet ta humbë shpresën për BE
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendi nuk duhet t’i humbë shpresat rrugës drejt BE-së, edhe pas vendimit për ndarjen e procesit nga Shqipëria. Ai tha se i vjen keq për këtë që po ndodh, dhe që vendit i duhet sërish vendi të jetë viktimë e bilateralizimit dhe jo e përmbushjes së kritereve të Kopenhagës.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për problemet që kemi. Është mirë që kemi miq në BE, të cilët duan të përhapin zërin tonë në BE, një nga ata miq është Viktor Orbani. I uroj gjithë të mirat qeverisë shqiptare, që të përfundojë shpejt negociatat dhe të bëhet anëtare e BE-së. Shpresoj që edhe ne të jemi pjesë e asaj familjeje dhe në atë tryezë. Më vjen keq që për shkak të këtij vendimi, vetëm dy palë mbetën të kënaqura, politikanët e fqinjit tonë lindor dhe opozita në vend”, tha Hristijan Mickoski.
Mickoski theksoi se në takimin kokë më kokë me Orbanin ata kishin diskutuar edhe për projekte strategjike si transporti veri-jug dhe korridori energjetik, që lidh Ballkanin me Hungarinë dhe i cili ka një rëndësi të madhe për sigurinë energjetike dhe rritjen ekonomike të të gjithë rajonit./DW
What's Your Reaction?