73% e të prekurave nga kanceri i gjirit mbijetuan, vitin e fundit u prekën edhe 15 meshkuj
Shqipëria mbetet vend me rrisk të ulët krahasuar me vendet e rajonit përsa i përket kancerit të gjirit, por shpeshtësia e rasteve të reja po rritet nga viti në vit. Eksperti i Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit në Shqipëri, Alban Ylli tha për RTSH-në se përveç 744 rasteve të reja tek gratë dhe vajzat […]
Shqipëria mbetet vend me rrisk të ulët krahasuar me vendet e rajonit përsa i përket kancerit të gjirit, por shpeshtësia e rasteve të reja po rritet nga viti në vit.
Eksperti i Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit në Shqipëri, Alban Ylli tha për RTSH-në se përveç 744 rasteve të reja tek gratë dhe vajzat u diagonstikuan me këtë sëmundje edhe 15 meshkuj.
“Në vitin 2023, u diagnostikuan 744 femra me kancer të gjirit në të gjithë vendin ose 61.4 për 100,000 femra. Në 2023-shin u diagnostikuan gjithashtu edhe 15 kancere gjiri te meshkujt. Mbetemi vend me risk të ulët, por rastet e reja kanë ardhur në shtim çdo vit. Ajo që duhet theksuar është se kanceri i gjirit është i kontrollueshëm, por mbetet kanceri më i rëndësishëm në Shqipëri për nga numri i lartë i rasteve dhe për nga kostot e larta financiare të trajtimit”, u shpreh Ylli.
Të dhënat që RTSH ka siguruar tregojnë ( në tabelën më poshtë) se si rastet e këtij kanceri kanë ardhur duke u rritur nga vitit në vit.
Rastet e reja me kancer gjiri te femrat sipas grup-moshave per periudhen 2015-2023
204 gra humbën jetën nga ky kancer gjatë vitit të fundit por të dhënat tregojnë se vdekshmëria është frenuar falë diagnozës së hershme.
“Mbijetetesa nga ky kancer ka shkuar në 73 përqind ndryshe nga cfarë ka qënë disa vite më parë që shkontë në rreth 65 përqind”, shtoi Ylli.
Mosha mesatare e diagnostikuar ndjek moshën mesatare të popullatës së shqiptare.
“Mosha mesatare e grave dhe vajzave të diagnostikuar me këtë sëmundje është 59 vjeç dhe kjo ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Por të dhënat tregojnë se kemi edhe raste tek të 20-tat. Më shumë se 75 përqind e rasteve të reja në vitin 2023 (73% në vitin 2022) janë diagnostikuar mbi moshën 50 vjeç. Edhe në këtë rast vërehet një rritje e proporcionit të rasteve të diagnostikuara mbi moshën 50 vjeç, me kalimin e viteve”, vijon më tej Ylli.
Por e ndërsa mjekët bëjnë thirrje për mamografi pas të 40-ve dhe një herë në dy vitë pas të 50-tave, ende ka indiferentizëm.
“Nga bisedat me gratë shohim se ka ende stigëm për t’u diagnostikuar dhe shpesh konstatojmë mendësinë se nuk më bën gjë ky kancer. Mamografia shpëton jetë. Është i rekomandueshëm që tek të 40-tat ndërsa tek mbi moshën 50 vjeç duhet të futet se kontroll rutine çdo dy vite”, bën thirrje Ylli.
Shpërndarja gjeografike e këtij kanceri vijon të ketë dallime të forta mes fshatit dhe qytetit ku përveç faktorëve genetik, urbanizmi luan një factor kyç në shtimin e shanceve për tu prekur.
Në analizën e shpërndarjes hapësinore, incidenca duket të jetë më e lartë në qarqet e Korçës, Beratit, Lezhës dhe Elbasanit dhe më e ulët në Kukës, Vlorë dhe Shkodër. Rreth një e treta (32.3%) e gjithë rasteve të reja janë nga Tirana, çka reflekton përmasat e popullatës të Tiranës në totalin e popullatës rezidente të Shipërise në Censin 2022.
/a.r
What's Your Reaction?