Kualifikueset e Europianit “Shqipëri 2025” për U-17/ Kombëtarja nis grumbullimin, trajneri Tedesco shpall listën e lojtarëve
Kombëtarja shqiptare U-17 nis sot grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” për këtë
Kombëtarja shqiptare U-17 nis sot grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” për këtë grupmoshë. Trajneri i skuadrës kuqezi, Andrea Tedesco ka shpallur sot listën me emrat e 22 lojtarëve të grumbulluar për tre ndeshjet zyrtare të këtij raundi, që do të zhvillohen në vendin tonë gjatë këtij muaji.
11 nga futbollistët e kësaj liste aktivizohen në klube të huaja, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga kampionati shqiptar. Stafi teknik i U-17 ka zhvilluar disa miqësore dhe seleksionime gjatë këtij viti për t’u përgatitur si duhet për këtë raund kualifikues. Skuadra do të zhvillojë në Tiranë përgatitjet që prej 6 tetorit e deri në fund të ndeshjeve.
Shorti e ka vendosur Kombëtaren shqiptare në Grupin 3 së bashku me Hollandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe me ndeshjet që do të luhen në datat 9, 12 dhe 15 tetor 2024.
Shqipëria U-17 do të luajë ndeshjen e parë ndaj Kroacisë më 9 tetor me sfidën që nis në ora 15:00 dhe më 12 tetor do të përballet me Hollandën (ora 15:00). Të dyja këto ndeshje do të luhen në stadiumun “Air Albania”. Sakaq, ndeshja e tretë dhe e fundit në grup e Shqipërisë do të jetë ajo ndaj Ishujve Faroe, e programuar më 15 tetor, ora 13:30 dhe do të luhet në stadiumin “Egnatia Arena”.
Finalet e këtij kompeticioni do të zhvillohen në Shqipëri në majin e vitit 2025, një ngjarje madhore që do të organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA, teksa kanë nisur prej kohësh përgatitjet për mikpritjen e këtij eventi. Kombëtarja shqiptare është e kualifikuar automatikisht në finalet e këtij kompeticioni si vend pritës, ndërsa shtatë vendet e para të çdo grupi do t’i bashkangjiten skuadrës shqiptare në këto finale.
What's Your Reaction?