VIDEO / Spektakël i teknologjisë! Raketa e Elon Musk bën uljen historike në Tokë
SpaceX, kompania e aventurave hapësinore të Elon Musk, shkroi historinë të dielën, pasi raketa e saj, Starship, arriti të ulej me sukses duke u kapur nga ganxhat e platformës prej nga u nis. Ky ishte testi i pestë dhe më i suksesshmi i Starship, raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga njeriu. Pasi arriti […]
SpaceX, kompania e aventurave hapësinore të Elon Musk, shkroi historinë të dielën, pasi raketa e saj, Starship, arriti të ulej me sukses duke u kapur nga ganxhat e platformës prej nga u nis.
Ky ishte testi i pestë dhe më i suksesshmi i Starship, raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga njeriu.
Pasi arriti lartësinë rreth 70 kilometra, një pjesë e raketës, e quajtur shtytësi, u shkëput dhe nisi uljen në Tokë. Pak para zbritjes, 3 nga 33 motorët e shtytësit, u rindezën dhe e drejtuan vertikalisht mjetin, para se ganxhat e platformës ta kapnin në ajër.
Kjo metodë e kapjes së raketave shumëpërdorimshe është arritja më e fundit e SpaceX, që synon të dërgojë anije kozmike me njerëz në Hënë dhe të realizojë ëndrrën e Elon Musk për të arritur në Mars, shkruan A2 CNN.
Starship, e prezantuar fillimisht nga Musk në vitin 2017, ka shpërthyer disa herë gjatë testimeve të mëparshme, por në qershor të këtij viti arriti të ulej në tokë me sukses për herë të parë. Këtë herë, nga platforma e Teksasit, raketa bëri një ulje spektakolare, të paparë ndonjëherë në industrinë e mjeteve hapësinore.
/a.r
What's Your Reaction?