Votimi elektronik dhe makthi i orës 20:00
Nga Mero Baze Sali Berisha ka kërkuar të anulohet votimi elektronik në dy qarqet e përcaktuara nga KQZ, pas kërkesës së Partisë Socialiste dhe disa partive të tjera të vogla, që të shtohet dhe Qarku i Tiranës. Argumenti i Berishës është që votimi elektronik është i manipulueshëm. Në fakt e vërteta ka treguar se në […]
Nga Mero Baze
Sali Berisha ka kërkuar të anulohet votimi elektronik në dy qarqet e përcaktuara nga KQZ, pas kërkesës së Partisë Socialiste dhe disa partive të tjera të vogla, që të shtohet dhe Qarku i Tiranës.
Argumenti i Berishës është që votimi elektronik është i manipulueshëm.
Në fakt e vërteta ka treguar se në ato raste që ai është përdorur në mënyrë të pjesshme, si në njësinë administrative Nr. 10 Tiranë, apo në Kamzë, Vorë dhe Elbasan në bashki, ai jo vetëm që ka rezultuar 100 për 100 i saktë nga riverifikimet, por ka shpëtuar nga korrupsioni dhe procesin zgjedhor.
Votimi elektronik zhduk racën e numëruesve, që janë armiqtë më të pamëshirshëm të partive të vogla dhe më tej komisionerët abuzivë, që janë kthyer në një kosto financiare dhe morale për zgjedhjet.
Mundësisht Shqipëria duhet të kalojë e gjitha në votim elektronik për të çliruar aktorët e rinj nga pushteti i dy partive të mëdha mbi komisionerët dhe numëruesit dhe mbi të gjitha, t’i japë fund debateve psikologjike për fituesin dy ditë pas zgjedhjeve.
Shqipëria është i vetmi vend në botë që zgjedhjet nuk përfundojnë pas votimit, por pas disa ditësh, kur mbaron numërimi. Deri atëherë Shqipëria është gati të digjet nga deliret e fituesit të vërtetë dhe atij imagjinar.
Kërkesa e PD së Berishës ka të bëjë pikërisht me këtë moment. Sali Berisha nuk e duron dot psikologjikisht që zgjedhjet të përfundojnë në orën 19:00 dhe në orën 20:00 Shqipëria ta marrë vesh që ai ka humbur.
Atij i duhen nja dy- tri ditë destabilitet, thirrje për luftë, thirrje për vota të vjedhura etj.
Ajo që i ndodhi në Kamzë ku humbi me 60 për qind dhe kërkoi të verifikoheshin votat elektronike e turpëroi, pasi doli që çdo biletë votuese ishte e verifikueshme dhe ishte njësoj si rezultati zyrtar. Nëse në votimin e zakonshëm çdo kuti që hapet del një ose disa vota gabim, aty nuk doli asnjë. Dhe ai ngeli pa argument.
Tani ai nuk duron dot më përsëritjen e këtij dënimi menjëherë pas zgjedhjeve në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, që në fakt është gjysma e Shqipërisë.
Ai e di që po u shpall i humbur aty aq shpejt, gjithë komisionerët e tij në gjithë Shqipërinë nuk bëjnë dot as si banditë dhe as si fitimtarë, por fusin bishtin në shalë dhe pranojnë rezultatin.
Aty atij i vdes beteja e fundit e “mosbindjes civile”.
Është kjo arsyeja që siç thotë dhe Lulzim Basha, ai hodhi sot në kosh betejën dhjetëvjeçare të vet PD për votimin elektronik, pasi ai nuk pranon dot që votat e tij t’i numërojë dikush që nuk e ka frikë atë, siç është kompjuteri.
Kaq është e gjitha.
KQZ jo vetëm që nuk duhet ta marrë parasysh kërkesën, por mundësisht duhet të shkojë drejt thellimit të qarqeve me votim elektronik. Madje Shqipëria duhet t’i caktojë vetes një objektiv për votim 100 për 100 elektronik në zgjedhjet e ardhshme.
Është e vetmja mënyrë që zgjedhjet të kenë integritet, rezultat të shpejtë dhe infrastruktura parazgjedhore e komisionerëve, numëruesve e vëzhguesve, që është një ushtri e paguar edhe nën dorë, të shkrihet dhe të çlirojë energji për aktorët e rinj që hyjnë në zgjedhje dhe nuk kanë mundësi financiare.
PD e Berishës është pakicë dhe nuk përfaqëson gjithë opozitën. Nëse ka frikë kompjuterët le të mos hyjë në zgjedhje dhe le të shpallë fitoren poshtë penxheres. Shqipëria që nuk ka frikë, as kompjuterët, as Berishën, duhet të shikojë përpara.
What's Your Reaction?