Sa lekë “derdhën” shqiptarët në restorante dhe hotele?
Vitet e fundit shpenzimet mujore të familjeve shqiptare për hotele dhe restorante janë rritur ndjeshëm. “Scan Intel” ka marrë në analizë peshën që ka patur ky grup në shpenzimet totale që nga viti 2019-të dhe deri tek të dhënat e fundit për vitin 2023. Në vitin 2019-të, pesha që kishte grupi “Restorante dhe Hotele” në […]
Vitet e fundit shpenzimet mujore të familjeve shqiptare për hotele dhe restorante janë rritur ndjeshëm. “Scan Intel” ka marrë në analizë peshën që ka patur ky grup në shpenzimet totale që nga viti 2019-të dhe deri tek të dhënat e fundit për vitin 2023.
Në vitin 2019-të, pesha që kishte grupi “Restorante dhe Hotele” në totalin e shpenzimeve të familjeve ishte 4.9%, ndërkohë në vitin 2020 u rrit me 0.7 pikë. Përgjatë pesë viteve shohim se pesha e këtij grupi në shpenzimet totale është rritur 2.5 pikë përqindje, duke u vlerësuar në vitin 2023 në 7.4%. Kjo rritje e konsumit vjen bashkë me ecurinë e mirë që ka patur turizmi pas pandemisë në vendin tonë duke arritur rekorde në vitin aktual.
Sipas INSTAT, shpenzimet mujore të familjeve në vitin 2023 për këtë grup vlerësohen në 6,755 lekë, nga rreth 3,900 lekë që ishin në vitin 2019-të. Rritja në shifra absolute vlerësohet në 2,700 lekë në muaj.
Por sa ka shpenzuar në vit një familje shqiptare e përbërë prej 3.7 personash për restorante dhe hotele? Nga një përllogaritje e thjeshtë dalim në konkluzionin se në vit kjo shifër arrin në rreth 81 mijë lekë, nga rreth 77 mijë që ishte në vitin 2022, ose rreth 47 mijë para pesë vitesh.
Nëse marrin në konsideratë numrin e familjeve, që sipas rezultateve të Censit të vitit 2023 ishte në 755,950, mund të arrijmë të llogarisim se sa shpenzuan shqiptarët për këtë grup. Sipas shifrave të analizuara nga “Scan Intel”, në total shqiptarët shpenzuan për restorante dhe hotele rreth 62 miliardë lekë në vitin 2023, nga 36.7 miliardë në vitin 2019-të, raporton Scan.
Pra, në harkun kohor të pesë viteve shpenzimet për këtë grup u rritën me 67%, ose 24 miliardë lekë. Nëse e konvertojmë në monedhën europiane, vlera e shpenzimeve arrin në rreth 620 milionë euro ose 247 milionë euro më shumë së në vitin 2019-të.
What's Your Reaction?