Oferta e monetare e Lekut, me rritjen më të lartë që prej vitit 2021
Oferta e parasë në ekonomi u zgjerua gjatë muajit gusht dhe arriti nivelin më të lartë në pothuajse tre vjet. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht, rritja vjetore e agregatit monetar M2 arriti në 6.7%, niveli më i lartë që prej tetorit 2021. Agregati monetar M2 përfaqëson paranë jashtë […]
Oferta e parasë në ekonomi u zgjerua gjatë muajit gusht dhe arriti nivelin më të lartë në pothuajse tre vjet.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht, rritja vjetore e agregatit monetar M2 arriti në 6.7%, niveli më i lartë që prej tetorit 2021.
Agregati monetar M2 përfaqëson paranë jashtë bankave dhe depozitat bankare në lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e agregatit M2 tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare.
Rritja me ritme të përshpejtuara e këtij treguesi vlerësohet se ka ardhur kryesisht nga kreditimi prej sektorit bankar dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për të frenuar forcimin e monedhës vendase.
Fillimi i vitit 2022 shënoi edhe kthesën e kahut të politikës monetare, pas rreth një dekade kur politika monetare kishte lëvizur gjithmonë në kahun stimulues, vetëm me ulje të normës bazë të interesit. Prej atij momenti, rritja e agregatiti M2 u ngadalësua ndjeshëm.
Rënia e ofertës monetare të lekut ka ndikuar pjesërisht edhe ecurinë e kursit të këmbimit, duke mbështetur forcimin e monedhës vendase kundrejt valutave të tjera dhe kryesisht euros.
Por, gjatë këtij viti, oferta monetare e lekut po zgjerohet me ritme më të larta.
Rritja e shpejtë e kredisë në monedhën vendase duket të jetë faktor kryesor. Në fund të muajit gusht, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 812 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej afërsisht 12%. Ndërkohë, kredia në monedhën vendase në të njëjtën periudhë rezulton me rritje vjetore edhe më të lartë, me 18%.
Në fillim të muajit korrik, Banka e Shqipërisë iu kthye lëvizjeve me kah lehtësues të politikës monetare, duke e ulur normën bazë të interesit nga 3.25% në 3%. Ulja e normës bazë i ka dhënë një shtysë të mëtejshme rënies së yield-eve dhe normave të interesit të kredisë për sektorin privat.
Ndërkohë, në zgjerimin e ofertës së lekut nuk duket të ketë patur ndonjë rol politika fiskale, që
vazhdon të ruajë të njëjtat tipare shtrënguese. Madje, të dhënat paraprake tregojnë se në fund të shtatorit, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 69 miliardë lekëve.
Faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në rritjen e ofertës së lekut këtë vit kanë qenë edhe operacionet e blerjes së valutës nga Banka e Shqipërisë. Për të mos lejuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit euro-lek, Banka e Shqipërisë ka kryer blerje të vazhdueshme të valutës në tregun e brendshëm.
Banka e Shqipërisë ka blerë gati 272 milionë euro në tregun valutor vetëm në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit të publikuar nga Banka Qendrore, për 6-mujorin e parë janë blerë gjithsej 134.2 milionë euro në ankandet e planifikuara për nevojat e rezervës valutore, ndërsa edhe më shumë, 137.6 milionë euro, janë blerë me operacione të drejtpërdrejta, me qëllim për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor. /Monitor
What's Your Reaction?