Ali Ahmeti letër Mickoskit, kreu i BDI: Çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike, me pasoja të rrezikshme
Bashkimi Demokratik për Integrim bëri me dije sot se Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti i dërgoi një letër zyrtare Kryetarit të VMRO-DPMNE,
Bashkimi Demokratik për Integrim bëri me dije sot se Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti i dërgoi një letër zyrtare Kryetarit të VMRO-DPMNE, njëherazi dhe kryeministër i vendit Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tyre mbi kohezionin ndëretnik dhe qëndrueshmërinë e vendit.
Ahmeti thekson se vendimet për heqjen e mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve jo vetëm që janë politikisht të diskutueshme, por janë shume të rrezikshme dhe të dëmshme për përparimin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë.
“Po ju drejtohem në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme për vendin tonë. Gjendja gjeopolitike është më e rrezikshme se kurrë më parë që nga fundi i shekullit të kaluar, me përshkallëzimin e agresionit rus në Ukrainë, ambiciet e Kinës, situatën e ndërlikuar në Ballkanin Perëndimor, paqëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe bllokadat e vazhdueshme nga Bullgaria. Në këtë mjedis të ndërlikuar, çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja serioze për kohezionin e brendshëm dhe parashikueshmërinë”, tha Ahmeti.
Duke iu referuar marrëveshjes së Ohrit , Ahmeti i kërkon kryeministrit që të reflektojë.
“Ky është një zhvillim që mund të minojë përfitimet e fituara me përpjekje të mëdha dhe ta kthejë vendin në periudha pasigurie. Prandaj, ju bëj thirrje të reflektoni me maturi dhe përgjegjësi për këto vendime që kanë potencial të dëmtojnë kohezionin shumëetnik në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
Lidhur me letrën e dërguar kryeministri Mickoski, theksoi se nuk ka ende dijeni se çfarë përmban ajo.
“Jo, nuk e kam parë. Marr shumë letra dhe i lexoj çdo ditë, marr shumë mesazhe dhe komunikimit me qytetarët i kushtoj shumë rëndësi. Ahmeti është qytetar dhe duhet t’i kushtohet vëmendje çdo letre të çdo qytetari, kështu vepron një Qeveri e përgjegjshme. Siç tha zëvendëskryeministri Mexhiti, ne nuk luajmë futboll, ne punojmë dhe jemi përgjegjës”, u shpreh Mickoski.
Një ditë më parë Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i dërgoi një letër edhe liderëve të rajonit si dhe zyrtarëve më të lartë evropianë dhe amerikanë, duke shprehur shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. /vizionplus.tv
What's Your Reaction?