Radikalizimi i minorenëve prej politikanëve të papërgjegjshëm
Nga Bajram Peçi Abuzimi me fëmijë në protesta është tek ne një dukuri e pranishme prej vitesh, që ndodh për shkak po të politikës abuzive. Të protestosh është një e drejtë kushtetuaese, por të rekrutosh për të marrë pjesë në protestë minorenë, me xhepa të mbushur me gurë, është e turpshme, është një çmenduri! Në […]
Nga Bajram Peçi
Abuzimi me fëmijë në protesta është tek ne një dukuri e pranishme prej vitesh, që ndodh për shkak po të politikës abuzive. Të protestosh është një e drejtë kushtetuaese, por të rekrutosh për të marrë pjesë në protestë minorenë, me xhepa të mbushur me gurë, është e turpshme, është një çmenduri!
Në ditët e fundit të dhjetorit 2020, ndërsa policia shpërndante turmën agresive nga sheshi përballë kryeministrisë dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, një masë e konsiderueshme protestuesish, në tërheqje e sipër, sulmuan me gurë Muzeun Historik Kombëtar, thyen xhamat dhe do mund të bënin ndoshta edhe plaçkitje, nëse policia nuk do mbërrinte ta pastronte sheshin. Shumica prej tyre ishin minorenë, me apo të pashoqëruar nga prindër s’mund ta thuash, por që ishin pjesë aktive e protestës, ajo ishte e dukëshme se prej tyre u fiksuan nga kamerat, duke hedhur bomba Molotov?
Me siguri ata nuk e dinin se çfarë ishte ajo godina e stërmadhe që po sulmonin! Them “Me siguri”, se dyshoj që s’kanë hyrë ndonjëherë brënda, shkolla nuk i ka sjellë dhe programi mësimor nuk e përfshin një vizitë në muze.
-Mund ta dinin prindërit? -më shfaq dikush mendimin e tij, por një i pranishëm tjetër thotë se, me gjasa, ata prindër mund të jenë ata që pushtuan e shkatërruan kabinetet e laboratorët e Institutit të Lartë Bujqësor dhe Institutit të Tokave, duke i shndërruar ato në hapësira për strehim familjar.
Në datën 29 tetor këta minorenë, me shumë mundësi dyshoj se do t’i shohim përsëri në turmën e protestuesve që organizon Partia Demokratike. Në rrethanat kur policia njofton se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale, organizatorët mund t’i vënë këta minorenë të “udhëheqin” turmën. Nuk bëhet fjalë që dikush t’i përzërë prej një vendi ku mosha e tyre nuk duhet të ndodhet, por bëhet fjalë se si shpërblehen ata persona që mobilizojne sa më shumë minorenë në protestë!?
Radikalizimi dhe ekstremizmi në sjellje i minorenëve ndodh kur fillojnë të mbështesin (jo të besojnë) pikëpamjet ekstreme dhe marrin pjesë në grupe ose akte terroriste, siç ështe hedhja e bombave molotov në dyert e kryeministrisë dhe bashkisë. Ka një sërë faktorësh pse radikalizohen minorenët, duke përfshirë ideologjitë, besimet fetare, bindjet politike? Në rastet tona të kohëve të fundit, asnjë prej tyre ska lidhje! Kjo ndodh veçse për të “trembur” shtetin, të motivuar për të liruar nga hetimi dhe dënimi Sali Berishën, të cilëve tani u janë shtuar të tjerë, si Salianji dhe Ilir Meta. Vetëm për kaq protestohet, pra në thelb janë protesta kundër sistemit të drejtësisë. Gjithë argumentet e tjera, se protestojnë për zgjedhje të lira, se protestojnë kundër diktaturës e kundër korrupsionit, janë dëngla e përralla.
Kur shihen fëmijë me sjellje agresive në protesta, ka patur vallë ndonjë deputet apo funksionar të PD-se që të ketë kërkuar që ata të largohen? Mos ndoshta ka qenë Avokati i Popullit institucioni që u ka tërhequr vemendjen? Me gjasa, duhej të ishte i shqetësur, përderi sa ndjeshmëria e lartë e mbrojtjes së individit Ilir Meta, i ka nxitur te fillojnë një hetim mbi mënyrën e arrestimit!?
Çdo protestë që shkon, koha u zbulon atë që fshehin rrudhat e atyre të papërgjegjëshmëve me moralin blozë. Këta minorenë të shfrytëzuar dhunshëm, e dinë dhe vetë se nuk janë e nuk mund të bëhen dot Gavrosha. Personazhi i famshëm i novelës së Viktor Hugo, një dymbëdhjetë vjeçar, endej nëpër Paris pa strehë, si shumë fëmijë të tjerë të atyre kohërave. Gavroshi ju bashkua barikadës së revolucionit dhe mbledh fishekë nga trupat e pajetë të Gardës Kombëtare, ku dhe vritet, se jetonte vazhdimisht në kërkim të diçkaje për të ngrënë. Ai u ndodh në barikada në luftën për jetën e tij e kundër padrejtësisë, jo për familjen e ndonjë aristokrati, të cilin revolucioni francez e kish rrëzuar nga vakti.
Kush është në rrezik, nga sa ndodh nën drejtimin ose hijen e Partisë demokratike, me pjesëmarrjen e minorenëve në protesta politike? Gjithë shoqëria!
Të rinjtë veçanërisht, që janë të prekshëm si dhe minorenët, që janë thjesht viktima të politikanëve të papërgjegjshëm, që i përdorin për prapanicën e tyre dhe atij në katin e tetë.
Minorenët mund të radikalizohen edhe nga anëtarët e familjes ose përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me grupet ekstremiste, gjithshtu edhe përmes internetit. Ata njihen lehtësisht, pavarësisht se i kanë mësuar të mbulojnë kokën me kapuça. Ne të gjithë, shoqëria e shkolla, duhet të jemi aktiv për të siguruar që komunitetet tona të mbeten të sigurta, të ndërhyjmë e të mund të ndalojmë dikë që të mbështesë ekstremizmin e dhunshëm.
Qeveria, përmes policisë duhet të luajë rolin e parandaluesit për të ndihmuar minorenët që janë identifikuar si të radikalizuar me shfaqje të ekstremizmit. Policia me anëtarët e komunitetit, ku këta minorenë banojnë, duhet të punojnë së bashku për të mbështetur individët e cenueshëm ndaj radikalizimit dhe për të ofruar masa të përshtatura mbrojtëse për të mbështetur nevojat e tyre. Një sërë opsionesh duhet të jenë në tavolinë, duke përfshirë kujdestarinë dhe mbështetjen e mirëqenies.
Shoqërisë nuk i duhen minorenë të ndaluar, aq më keq të jenë në burg, hapësirë kjo e shkollës së lartë për krimin!
What's Your Reaction?