Çfarë dihet për trupat koreanoveriore që po i bashkohen luftës ruse në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi të hënën se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se disa njësite janë vendosur tashmë në rajonin e Kurskut, duke vlerësuar se Pheniani e ka “përshkallëzuar jashtëzakonisht” mbështetjen ushtarake për Rusinë. Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Koreja e Jugut e kanë akuzuar Korenë […]

Tetor 29, 2024 - 11:25
 0
Çfarë dihet për trupat koreanoveriore që po i bashkohen luftës ruse në Ukrainë
Reklamë
Reklamë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi të hënën se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se disa njësite janë vendosur tashmë në rajonin e Kurskut, duke vlerësuar se Pheniani e ka “përshkallëzuar jashtëzakonisht” mbështetjen ushtarake për Rusinë.

Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Koreja e Jugut e kanë akuzuar Korenë e Veriut se ka dërguar mijëra trupa për ta ndihmuar Rusinë në luftën në Ukrainë.
Moska dhe Pheniani fillimisht i hodhën poshtë si “të rrejshme” lajmet për dërgimin e trupave koreanoveriore në Rusi. Megjithatë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk e mohoi se trupat koreanoveriore ndodhen në Rusi dhe një zyrtar koreanoverior tha se një gjë e tillë do të ishte e ligjshme.

Ja çfarë dihet deri tani:
Çfarë është raportuar?
Shërbimi i inteligjencës ushtarake i Ukrainës tha javën e kaluar se njësitet e para të trupave koreanoveriore, të trajnuara në Rusi, janë vendosur tashmë në rajonin e Kurskut, një zonë kufitare ruse ku forcat ukrainase zhvilluan një inkursion të madh në gusht.
Në përgjithësi, rreth 12.000 trupa koreanoveriore, përfshirë 500 oficerë dhe tre gjeneralë, ka kohë që ndodhen në Rusi, dhe stërvitjet po zhvillohen në pesë baza ushtarake, sipas këtij shërbimi.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Koreja e Veriut kishte dërguar më herët oficerë në territoret e pushtuara nga Rusia brenda Ukrainës për ta vlerësuar gjendjen para se të dërgohen trupat.
Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare i Koresë së Jugut (NIS) tha se i gjurmoi rreth 3.000 trupa, përfshirë forca speciale, që ishin transportuar me anije detare ruse drejt Lindjes së Largët të Rusisë për stërvitje dhe përshtatje në bazat ushtarake atje, më gjasë për t’u angazhuar në luftë pastaj.
Gjithashtu, Koreja e Jugut tha se kishte përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës me inteligjencë artificiale për ta identifikuar një delegacion të dhjetëra oficerëve koreanoveriorë që vizituan pjesë të vijës së parë në Ukrainë, për të dhënë udhëzime mbi raketat balistike KN-23, të prodhuara nga Koreja e Veriut, të cilat janë shkrepur ndaj caqeve atje.

Reklamë
Reklamë

Delegacioni përfshinte një figurë kyçe në zhvillimin e raketave të Koresë së Veriut, i identifikuar si Ri Song Jin nga analistët e NK PRO me bazë në Seul, i cili u pa në fotografi vitin e kaluar duke shoqëruar udhëheqësin Kim Jong Un në fabrika që prodhojnë raketa.
Thuhet se trupat janë pajisur me uniforma ushtarake ruse, armë dhe dokumente identifikimi të falsifikuara para se të dërgohen në betejë.

Pse do ta ndihmonte Koreja e Veriut Rusinë?
Putini tha se një traktat që ai e nënshkroi me Kim Jong Un gjatë një vizite në Phenian në qershor, përfshin edhe një klauzolë për mbështetje dypalëshe, pra palët do ta ndihmojnë njëra-tjetrën për të zmbrapsur agresione të jashtme.

Analistët thonë se Koreja e Veriut mund të përfitojë duke i dhënë armë dhe ushtarë Rusisë, sepse kështu do të fitonte përvojë dhe të dhëna rreth luftës në fushëbetejë.
Pheniani, i sanksionuar rëndë për programin e tij bërthamor, duket se gjithashtu po siguron importe të mëdha të naftës dhe produkteve të tjera nga Rusia, sipas agjencive të huaja të inteligjencës dhe imazheve satelitore tregtare të analizuara nga ekspertët.
Një raport i një institut studimor të lidhur me Shërbimin e Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut (NIS) vlerëson se Koreja e Veriut, e cila vuan nga mungesa e parave, i fitoi rreth 540 milionë dollarë vitin e kaluar nga shitjet e armëve në Rusi.
Cilat kanë qenë reagimet?

Javën e kaluar, Koreja e Jugut tha se protestoi ndaj vendosjes së trupave te ambasadori rus dhe se e dërgoi një delegacion të lartë për ta njoftuar NATO-n të hënën.
Seuli gjithashtu ka thënë se po shqyrton kundërmasa në faza, duke përfshirë mundësinë e ndryshimeve në qëndrimin e tij ndaj furnizimit të Ukrainës me armë drejtpërdrejt.
Zyrtari i lartë i Presidencës ukrainase tha të hënën se sanksionet nuk do të ishin përgjigje e mjaftueshme ndaj dislokimit të trupave koreanoveriore dhe bëri thirrje për “armë dhe plan të qartë për të parandaluar përfshirjen e zgjeruar të Koresë së Veriut”.
Gjermania dhe Austria thirrën përfaqësuesit më të lartë të Koresë së Veriut në vendet e tyre të mërkurën për t’i shprehur shqetësimet e tyre.

Liderët e Britanisë dhe Finlandës kanë thënë se përdorimi i trupave koreanoveriorë nga Rusia do të ishte shenjë dëshpërimi.
Ministria e Jashtme e Kinës tha të enjten se nuk është në dijeni për praninë e trupave koreanoveriorë në Rusi dhe shprehu shpresën që “të gjitha palët do të promovojnë shtensionim të situatës dhe do të angazhohen për një zgjidhje politike” në Ukrainë.
Çfarë sfidash përbëjnë trupat koreanoveriore për Ukrainën?

Rusia ka shkrepur dhjetëra raketa balistike koreanoveriore dhe ka marrë një numër të madh predhash artilerie dhe raketash antitanke, sipas Koresë së Jugut, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe hulumtuesve të pavarur.
Analistët ushtarakë thonë se ka dyshime mbi mënyrën se si Rusia do t’i integrojë trupat koreanoveriore në terren, dhe se, ashtu si armët, një infuzion i trupave është e pamundur të jetë faktor vendimtar, por mund të ndihmojë në zgjatjen e konfliktit.

“Zona e luftës e Rusisë është zgjeruar ndjeshëm, dhe me forcat ukrainase që po përparojnë madje edhe në territorin rus, trupat koreanoveriore mund të luajnë rol në mbrojtjen kundër këtyre inkursioneve”, tha Kim Yong-hyun nga Universiteti Dongguk i Koresë së Jugut.
“Megjithëse përfshirja e Koresë së Veriut mund të mos jetë vendimtare për Rusinë, ajo mund të ofrojë ende mbështetje të rëndësishme”, sipas tij./REL

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.