Humbasin 400 pasaporta në Kosovë, eksperti: Grupet kriminale vjedhin shenjat e sigurisë dhe prodhojnë të reja
400 pasaporta të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë humbur, ndërsa një hetim ka nisur për të zbardhur këtë ngjarje dhe se ku kanë përfunduar ato. Për ekspertin e sigurisë Drizan Shala ky është një skandal i rëndë pasi këto të dhëna sensitive dhe të klasifikuara mund të vidhen nga grupet kriminale dhe […]
400 pasaporta të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë humbur, ndërsa një hetim ka nisur për të zbardhur këtë ngjarje dhe se ku kanë përfunduar ato.
Për ekspertin e sigurisë Drizan Shala ky është një skandal i rëndë pasi këto të dhëna sensitive dhe të klasifikuara mund të vidhen nga grupet kriminale dhe të përdoren për qëllimet e tyre.
Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, eksperti Shala u shpreh se kjo ngjarje tregoi jo vetëm brishtësinë politike por edhe cenimin e lehtë të protokolleve të sigurisë.
Sipas tij grupet kriminale apo edhe rrjetet e spiunazhit serbo-rus mund të vjedhin elementët e sigurisë nga këto pasaporta duke krijuar të reja në mënyrë që vetë ata të lëvizin pa probleme në Kosovë dhe jashtë saj.
“Ka nisur një hetim për të kuptuar se si ka ndodhur procesi dhe se ku ndodhen këto pasaporta. Kjo cenon sigurinë publike dhe ka një mjegull nga Ministria e Jashtme pasi tentoi ta fsheh këtë skandal. Çështja është bërë publike nga deputetët e opozitës. Janë 3 segmente brishtësie në këtë ngjarje. Është aspekti politikë, pasi ka një tentativë për të fshehur një veprim të tillë inkriminues. Kemi elementin e siguris, ku kemi cenim të protokolleve të sigurisë. Imagjinoni 400 pasaporta po të kalonin te grupet terroriste apo spiunët serbo-rus imagjinoni dëmin që mund të bëhet. Është edhe elementi ekonomik, pasi shqiptarët e Kosovës kanë mbetur pa dokumentacion. Ka rrjedhje e informacionit sensitiv të klasifikuar, pasi nuk mund të ketë askush informacion mbi lëvizjen e këtyre materialeve. Autoritetet duhet të sjellin para drejtësisë personat që kanë lejuar rrjedhjen e këtyre informacioneve. Se ku kanë përfunduar këto pasaporta nuk e dimë, por mund të përdoren dhe manipulohen duke vjedhur shenjat e sigurisë përmes aplikacioneve të ndryshme. Vjedhja e këtyre dokumentacioneve mund të prodhohen pasaporta të reja përmes vjedhjes së këtyre elementëve të sigurisë. Ato mund të bëhen nga grupe të caktuar terroriste apo të spiunazhit. Këto kriminel mund të lëvizin lirshëm pa u kapur nga sistemi, jo vetëm në Kosovë por edhe në BE”, tha eksperti.
Lidhur me ngjarjen Ministria e Jashtme e Kosovës tha se kjo ka ndodhur nga distributori përgjegjës pasi nuk ka arritur të realizojë dërgesat jashtë vendit të pasaportave sipas afateve të përcaktuara. 400 pasaportat e humbura ishin si destinacion 12 vende të huaja ku jetojnë shtetas nga Kosova.
What's Your Reaction?