Opozita duhet të gjejë udhëheqës të tjerë, jo popull tjetër
Nga Mero Baze Një qytetar është përballur sot me Fredi Belerin në bulevard dhe ka reaguar duke e quajtur vrasës. Ka pas dhe disa reagime të tjera tek dera e Kuvendit, ndërkohë që ai po përpiqej të hynte tek një derë e gabuar e mbyllur. Natyrisht nuk është e këndshme të përballesh me fyerje në […]
Nga Mero Baze
Një qytetar është përballur sot me Fredi Belerin në bulevard dhe ka reaguar duke e quajtur vrasës. Ka pas dhe disa reagime të tjera tek dera e Kuvendit, ndërkohë që ai po përpiqej të hynte tek një derë e gabuar e mbyllur.
Natyrisht nuk është e këndshme të përballesh me fyerje në mes të rrugës ndërkohë që je në një mision zyrtar, por kjo është e pashmangshme kur je bërë epiqendër e një konflikti një vjeçar mes drejtësisë, shtetit shqiptar dhe shtetit grek.
Në të njëjtën ditë, opozita nxori rreth 200 vetë, të shpërndarë në 6 rreth rrethrrotullime të Shqipërisë, për të bllokuar qarkullimin, duke vendosur si postbllok veturat luksoze të deputetëve, një gjest i sforcuar që ngjason me ato protestat e fermerëve kur nuk u shitet qumështi. Dhe normalisht hasën në nervozizmin e qytetarëve të bllokuar dhe fyerjet e tyre.
Dëgjova Gazment Bardhin që tha se gjesti ndaj Belerit turpëron Shqipërinë. Pra kur sulmohet një aleat i opozitës, nga një qytetar, faji është i popullit dhe turpi i Shqipërisë, kurse kur sulmohen qytetarët nga opozita nderi është i opozitës dhe turpi është i popullit.
Në fakt Shqipërinë e kanë turpëruar ata politikanë shqiptarë që kanë shpallur Belerin përfaqësues të tyre. Do të mjaftonte akuza nga vetë autoritetet greke për vrasjen e dy ushtarakëve shqiptarë më 1994, dhe vet investimi i Sali Berishës kundër asaj ngjarje kur ishte në pushtet, që PD të bëhej partia më qesharake në historinë e Shqipërisë, e cila një herë i ka shpallur luftë Greqisë për shkak të Belerit, dhe një herë i ka shpallur luftë Shqipërisë bashkë me Greqinë, po për shkak të Belerit.
Por dhe sikur të mos ishte ky begraund, Shqipëria nuk turpërohet pse një qytetar i lirë fyen apo qëllon me vezë një politikan kontrovers. Kur një qytetar përballet me një politikan, dhe reagon qoftë dhe në mënyrë ekstreme ndaj tij, ka një farë legjitimiteti, pasi politikani përfaqëson interesin publik dhe qytetari ka të drejtë ta tajkalojë mungesën e etikës ndaj tij, pasi nuk është duke reaguar ndaj një qytetari të zakonshëm.
Kurse ky reagimi i dhunshëm i opozitës sonë ndaj qytatarëve, duke ju bllokuar rrugët nga urrejtja që ata nuk i bashkohen opozitës, është e kundërta. Është dhunë e politikës mbi qytetarët.
Opozita në fakt nuk është duke kryer mosbindje civile, por luftë civile me qytetarët që nuk e mbështesin atë.
Dhe kjo turpëruan opozitën. Nuk them që turpëron Shqipërinë, se nuk e ka njeri mendjen tek ata përtej mbikalimit të Kamzës, por është një gjest i dëshpëruar kundër popullit.
Opozitës i shkon të udhëheqë popullin kundër politikës, por jo të organizojë deputetë kundër popullit, pasi minimum bëhet qesharake.
Kjo që po bën opozita jonë, e cila ka vendosur të hakmerret ndaj popullit, ngaqë nuk ka çfarë i bën qeverisë, është ajo që në fakt turpëron çdo opozitë në botë.
Opozitën shqiptare nuk e ka shkatërruar as qeveria dhe as drejtësia, por këta deputetë dhe partikanë që ja dorëzuan atë si “hajmali” Sali Berishës, për ta mbrojtur nga ligji.
Për vite të tëra të njëjtit njerëz mbështetën bojkotin e Kuvendit, bojkotin e zgjedhjeve, dhe tani vënien në rresht pas dy politikanëve të korruptuar që kanë punë me drejtësinë, dhe i ankohen popullit shqiptar përse nuk i do. Populli natyrisht nuk do Berishën, Metën apo Belerin, por nuk do të thotë që nuk do opozitën. E do opozitën, ndoshta dhe më shumë se vet ata që bllokojnë rrugën.
Por në këto raste opozita e ka më të thjeshtë të ndërrojë politikanët e saj hajdutë dhe delikuentë, se sa të lodhet kot të ndërrojë popullin. Duhet të gjejë udhëheqës të tjerë, jo popull tjetër.
What's Your Reaction?