Kush duhet të kërkojë falje?
Nga Blendi Kajsiu Në shkrimin e tij të fundit kolegu Andi Bushati argumenton se arrestimi i dy liderëve të opozitës nga SPAK garanton fitoren e 84 vendeve në parlament nga Partia Socialiste, çka do e kthejë Ramën në diktator. Ndaj ata që sot mbështesin SPAK-un dhe arrestimin e Metës dhe Berishës nesër duhet të kërkojnë […]
Nga Blendi Kajsiu
Në shkrimin e tij të fundit kolegu Andi Bushati argumenton se arrestimi i dy liderëve të opozitës nga SPAK garanton fitoren e 84 vendeve në parlament nga Partia Socialiste, çka do e kthejë Ramën në diktator. Ndaj ata që sot mbështesin SPAK-un dhe arrestimin e Metës dhe Berishës nesër duhet të kërkojnë falje (nuk dihet se kujt) kur Rama të fitojë pushtetin absolut.
Ky është argumenti i Bushatit që, për mendimin tim, bazohet në dy premisa të gabuara. Së pari, supozohet që dobësia e opozitës dhe forca e pushtetit aktual është kryesisht produkt i SPAK-ut. Së dyti, Bushati në mënyrë pesimiste supozon që e vetmja opozitë që ekziston dhe mund të ekzistojë në Shqipëri është berishizmi. Le ti shqyrtojmë me radhë këto premisa.
Së pari idea që dobësia e opozitës dhe forca elektorale e Ramës buron nga SPAK është thjesht justifikim i dyshes Berisha –Meta, përgjegjësit real për gjendjen e mjeruar të opozitës sot. Nuk është as faji dhe as përgjegjësia e SPAK-ut që opozita udhëhiqet nga dy prej politikanëve më të refuzuar nga elektorati shqiptar. Në këto kushte t´ia faturosh SPAK-ut dobësinë e opozitës është thjesht një justifikim berishist.
Edhe forca e pushtetit “socialist” të Edi Rama është shumë më tepër produkt i opozitës Berisha-Meta se sa i SPAK-ut që e ka goditur qeverisjen Rama më fort se berishizmi. Për ta kuptuar këtë mjafton një eksperiment mendor i thjeshtë. Le të imagjinojmë se si do ishte gara elektorale e vitit 2025 në mungesë të SPAK.
Berisha dhe Meta do ishin të lirë pë rtë bërë fushatë elektorale, ama të gjitha sondazhet tregojnë qartë se mbi 70% e shqiptarëve e refuzojnë Berishën dhe rreth 90% Metën. E thënë ndryshe, edhe në mungesë të SPAK dyshja Berisha-Meta do mobilizonin vetëm një fraksion gjithnjë e më të vogël të elektoratit të përcarë opozitar në vitin 2025.
Ndërkohë në mungesë të SPAK-ut mbështetja elektorale për Edi Ramën jo vetëm nuk do të binte por do të shtohej. Së pari sepse prezenca e dyshes Berisha-Meta demotivon elektoration gri dhe opozitar teksa mobilizon elektoratin socialist, duke përfshirë edhe të pakënaqurit. Së dyti, sepse qeverisja Rama është shumë më e fortë përballë Berishës dhe Metës sesa përballë SPAK.
Ky insitucion ka çertifikuar korrupsionin e nivelit të lartë që njollos direkt Edi Ramën, siç janë inceneratorët. Në mungesë të SPAK inceneratorët do ishin thjesht një zhurmnajë më shumë nga dyshja Berisha-Meta, denoncimet e të cilëve bien në vesh të shurdhër.
SPAK ka hedhur në erë edhe modelin më të sukseshëm qeverisës të Ramës, Tiranën e Erjon Veliajt. Në mungesë të SPAK çështja e drejtorëve të bashkisë që pasuroheshin më paranë publike do mbetej thjesht një denocim i Belind Këlliçit, që askush nuk e merr seriozisht.
Në mungesë të SPAK Edi Rama do kishte aleatë të rëndësishëm elektoral si Lefter Koka. Arrestimi i Kokës i ka kushtuar shumë elektoralisht Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në zgjedhjet lokale të vitit 2023 në Durrës.
Në këto zgjedhje Rama u angazhua personalisht dhe vuri në lëvizje edhe nënbotën e krimit për të fituar përballë kandidatit të rithemelimit Igli Cara, një politikan i ndershëm, me reputacion pozitiv dhe i dashur për qytetarët e Durrësit (ndonëse duhet ti të jem transparent me lexuesin, jam subjektiv në rastin e Igli Carës sepse e kam kushëri).
E megjithatë fitorja e Partisë Socialiste ndaj Igli Carës ishte shumë e ngushtë sepse ajo kish humbur tashmë një aleancë elektorale me peshë në Durrës, Lefter Kokën. Në mungesë të faktorit Koka opozita mund ta kish fituar bashkinë e Durrësit nëse do ishte e bashkuar rreth një lideri që nuk refuzohet nga shumica e elektoratit, pavarësisht përdorimit të administratës dhe të krimit nga ana e PS-së
Në mungesë të SPAK lidhja e Partisë Socialiste me krimin dhe përdorimi i krimit të organizuar në fushata elektorale do ishte edhe më i thellë. Të mos harrojmë që SPAK ka goditur jo vetëm krimin e organizuar por edhe deputet socialistë si Jurgis Çyrbja që akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, në bashkëpunim me krimin e organizuar.
Pra në mungesë të SPAK, në zgjedhjet elektorale të vitit 2025 do kishim një Parti Socialiste të udhëhequr nga Rama me aleatët Koka, Çyrbja e kompani, me modelin “Tirana moderne” të panjollosur, me qeverinë Rama të panjollosur nga skandali i inceneratorëve.
Do kishim një Parti Socialiste me ekpin e plotë politik, ku Erjon Veliaj, Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Ilir Beqja, Alqi Bllako, etj., do jepnin kontributin e tyre maksimal pasi nuk janë demotivuar nga goditjet e SPAK-ut.
Një ekip politik që ndihet i mbrojtur nga pushteti politik përballë drejtësisë është më i motivuar për të prodhuar rezultate elektorale. Pra do kishim një Parti Socialiste edhe më të mobilizuar se sot, edhe më të motivuar se sot, edhe më të lidhur me krimin se sot.
Përballë kësaj makine elektorale dhe propagandistike të sofistikuar, të motivuar dhe të papërlyer nga SPAK do kishim dyshen Berisha-Meta që më shumë se mobilizim të elektoratit të përcarë opozitar do prodhonin mobilizimin e elektoratit të pakënaqur socialist.
Përse në këto kushte Rama nuk do fitonte një shumicë absolute përballë “opozitës” Berishës dhe Metës?
Dhe këtu vijmë tek supozimi i dytë i Bushatit se Berisha dhe Meta janë e vetmja opozitë e mundëshme në Shqipëri. Është një supozim i gabuar sepse për dyshen Berisha-Meta opozita është albi dhe jo vokacion dhe aq më pak mision.
Ata e përdorin opozitën si alibi përballë drejtësisë dhe jo si hapësirë për të denoncuar fenomenet e korrupsionit, keq-qeverisjes dhe autoritarizmit (opozita si vokacion), sepse janë përfaqësues tipik të këtyre fenomeneve, dhe aq më pak si një mundësi për të ofruar një alternativë qeverisëse ndaj modelit Rama (opozita si mision).
Nuk është aspak rastësi që opozita Berisha-Meta rrjeshtohet vazhdimisht kundër shumicës dërrmuese të opinionit shqiptar në të gjitha çështjet madhore që debatohen sot në sferën tonë publike.
Shumica dërrmuese e qytetarëve shqipëtar, mbi 90%, mbështesin dhe duan marrdhënie të mira me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. Opozita berishiste ofron si lider një udhëheqës politik që është shpallur non-grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe.
Shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptar, rreth 70%, e mbështesin SPAK-un, opozita berishiste e ka shpallur SPAK-un armikun e saj kryesor.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbi 80%, e mbështesin arrestimin e Metës të cilin e përceptojnë si të korruptuar. Opozita berishiste e denoncon këtë arrestim dhe e shpall Metën martir të demokracisë.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve ishin kundër ndërhyrjes flagrante të Greqisë në zgjedhjet vendore shqiptare në rastin e Fredi Belerit. Opozita berishiste u rrjeshtua me Belerin, me qeverinë greke dhe me nacionalistët grek.
Shumica e shqiptarëve, majtas dhe djathtas, dëshironin lista të hapura ku deputeti zgjidhej direkt nga votuesi dhe jo të mbyllura ku deputetin e përcakton shefi. Opozita berishiste ofroi lista të mbylluara (kuptohet në bashkëpunim me pushtetin).
Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë kundër autoritarizmit dhe korrupsionit të qeverisjes Rama. Opozita berishiste ofron si alternativë Berishën, simbol i autoritarizmit, dhe Metën, simbol të korrupsionit.
Arësyeja e këtyre rrjeshtimeve pa sens është se funksioni i “opozitës” berishiste sot nuk është të përfaqësojë shqetësimet e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptar, që nga pensionet e ulëta, çmimet e larta, degradimi në arësim dhe shëndetësi, apo transporti publik skandaloz. Këto çështje pothuajse nuk artikulohen nga berishizmi.
Orientimi politik i “opozitës” berishiste përcaktohet thjesht nga halli i familjeve Berisha dhe Meta me drejtësinë. Ndaj beteja kryesore e tyre është me SPAK-un dhe jo për ngritjen e pensioneve, përmirësimin e shëndetësisë dhe arësimit apo të transportit publik.
Në këto kushte është pak e habitëshme që kolegu Bushati arrin në konkluzonin se fajin për gjendjen aktuale të opozitës e kanë ata që denoncojnë përdorimin e saj për halle të ngushta personale dhe jo autorët e këtij përdorimi. Si mund të arrihet në këtë konkluzion kaq dëshpërues?
Natyrisht nëpërmjet një dëshpërimi të thellë që të çon në nihilizëm. Supozimi i Bushatit se opozita berishiste është e vetmja mundësi politike në Shqipëri është produkt i një nihilizmi total që eleminon edhe mundësinë teorike të shpresës dhe hedh në erë çdo parim politik.
Është një profeci vetë-përmbushëse që prodhon pikërisht rezultatin që e paracakton si të paevitueshëm. Shfaqja e një opozite alternative në Shqipëri është në proporcion të drejtë me përqindjen e atyre që besojnë se diçka e tillë mund të ndodhë.
Kjo nuk do të thotë se shpresa dhe optimizmi garantojnë automatikisht lindjen e një opozite të re. Aspak. Ka shumë mundësi që në zgjedhjet e ardhëshme Rama mund të fitojë një shumicë absolute dhe të vendosë diktaturën në vend. Mund të ndodhë që partitë e reja nuk rriten teksa opozita berishiste tkurret edhe më tej.
Ama është absurde që fajin për disfatën elektorale të berishizmit në zgjedhjet e vitit 2025 mos t’ia faturosh Berishës dhe Metës por atyre që e kanë parashikuar këtë disfatë që në vitin 2021, kur paralajmëruan se futja e PD-së në zgjedhjet e vitti 2025 me Berishën dhe Metën në krye do ishte katastrofë.
A nuk ka përgjegjësi Sali Berisha për situatën mjerane ku ndodhet sot PD-ja e kontrolluar dhe e drejtuar prej tij? A nuk ka përgjegjësi Ilir Meta për korrupsionin spektakular që ka bërë me pushtetin prej dekadash sa majtas edhe djathtas? Sipas Bushatit duket se jo.
Fajtorë janë ata që mendojnë dhe shpresojnë se meritojmë më mirë se kaq. Janë ata që nuk janë dëshpëruar mjaftueshëm për tu rreshtuar përkrah opozitës berishiste. Sepse vetëm ideja thellësisht nihiliste se terreni politik shqiptar nuk mund të pjellë asgjë më të mirë se Berisha dhe Meta justifikon rrjeshtimin krah tyre.
Ironia qëndron në faktin se ky lloj nihilizmi përjetëson regjimin Rama dhe sistemin politik aktual në përgjithësi. E gjithë fabula socialiste sot bazohet tek idea nihiliste se në Shqipëri një qeverisje më e mirë se kjo e Ramës është e pamundur. E gjithë fabula berishiste bazohet tek i njëjti nihilizëm; një opozitë me e mirë se Berishizmi është e pamundur.
Për këtë lloj nihilizmi është mëkat i madh të ëndërrosh përtej corbës politike aktuale. Një sistem i tërë politik dhe mediatik funksionon non-stop për të vrarë cdo shpresë, ideal apo ëndërr se mund të ndryshojë dicka për mirë në politikën shqiptare.
E megjithatë kolegu Bushati nuk kërkon shfajësim nga ata që prej dekadash i kanë vrarë ëndrrat qytetarëve shqiptar, ku padyshim berishizmi dhe Meta kanë një vend nderi. Përkundrazi, falje duhet të kërkojnë ata që vazhdojnë të besojnë, shpresojnë dhe ëndërrojnë për diçka më të mirë.
What's Your Reaction?