Sejko: Luhatja e çmimeve më e vogël se në Eurozone
Banka e Shqipërisë jep një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e çmimeve, i cili përbën objektivin kryesor të saj, pavarësisht goditjeve te jashtme. Sipas Guvernatorit, Gent Sejko mirëadministrimi i politikës monetare ka treguar një luhatje më të vogël të çmimeve krahasuar me vendet e BE-së. “Statistikat tregojnë se luhatja e çmimeve në ekonominë shqiptare është […]
Banka e Shqipërisë jep një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e çmimeve, i cili përbën objektivin kryesor të saj, pavarësisht goditjeve te jashtme. Sipas Guvernatorit, Gent Sejko mirëadministrimi i politikës monetare ka treguar një luhatje më të vogël të çmimeve krahasuar me vendet e BE-së.
“Statistikat tregojnë se luhatja e çmimeve në ekonominë shqiptare është më e vogël se në eurozonë apo në ekonomitë e rajonit, pavarësisht se sfidat tona kanë qenë më të shumta. Kjo arritje i dedikohet jo vetëm mirëadministrimit të politikës monetare dhe bashkërendimit të saj me politikat makro e mikro-prudenciale, por edhe risive të aplikuara nga Banka e Shqipërisë për të adresuar ndryshimet e rëndësishme strukturore që janë shfaqur në ekonominë shqiptare. Në rastet kur është vlerësuar se vetëm ndryshimi i normës së interesit nuk ka qenë i mjaftueshëm, Banka e Shqipërisë e ka mbështetur politikën monetare me masa të rëndësishme makroprudenciale”.
Konsumi, prodhimi dhe investimet, por mbi të gjitha turizmi kanë kontribuar pozitivisht në ekonomi, nënvizon guvernatori.
“Efektet e ndryshimeve strukturore me të cilat është përballur ekonomia në strukturën e prodhimit, zhvillimet demografike dhe ndikimi i tyre në tregun e punës, rritja e investimeve të huaja, të ardhurat nga turizmi dhe emigrantët në ekonominë shqiptare, janë pasqyruar në kursin e këmbimit, i cili ka luajtur një rol amortizues, duke shpërndarë efektet në të gjithë sektorët e ekonominë reale, rrjedhimisht edhe tek inflacioni. Në përgjigje të këtyre ndryshimeve strukturore, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është bërë inovative”.
Sipas Sejkos nisma si Ligji për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike, dhe aplikimi për anëtarësimin në SEPA pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar.
/a.r
What's Your Reaction?