Buxheti 2025/ Huamarrja e brendshme e qeverisë do të qëndrojë në nivelin e 50 miliardë lekëve

Qeveria shqiptare parashikon të mbajë huamarrjen në tregun e brendshëm financiar në vlera të përafërta edhe për vitin e ardhshëm. Sipas projektbuxhetit të vitit 2025, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 50 miliardë lekë, vlerë e njëjtë me atë të parashikuar në buxhetin e […]

Nëntor 6, 2024 - 16:25
 0
Buxheti 2025/ Huamarrja e brendshme e qeverisë do të qëndrojë në nivelin e 50 miliardë lekëve
Reklamë
Reklamë

Qeveria shqiptare parashikon të mbajë huamarrjen në tregun e brendshëm financiar në vlera të përafërta edhe për vitin e ardhshëm. Sipas projektbuxhetit të vitit 2025, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 50 miliardë lekë, vlerë e njëjtë me atë të parashikuar në buxhetin e këtij viti.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, huamarrja e brendshme neto (borxhi i ri i emetuar minus borxhin e maturuar) deri në fund të 9-mujorit të këtij viti ka arritur vlerën e afërsisht 37 miliardë lekëve. E gjithë shtesa e huamarrjes është realizuar në instrumente borxhi afatgjatë (obligacione), ndërsa borxhi afatshkurtër në bono thesari ka pësuar rënie.

Në rast se huamarrja realizohet në vlerat e parashikuara, gjatë tremujorit të fundit të vitit pritet të financohet edhe diferenca prej rreth 13 miliardë lekësh në vlerën e parashikuar shtesë të huamarrjes së brendshme. Sidoqoftë, deri në fund të 9-mujorit balanca buxhetore ishte në suficit të bollshëm, që arriti vlerën më të lartë historike, prej pothuajse 69 miliardë lekësh. Nëse shpenzimet nuk do të realizohen plotësisht sipas parashikimeve edhe për tremujorin e fundit të vitit, nuk përjashtohet që deficiti dhe huamarrja e realizuar të rishikohen në ulje.

Reklamë
Reklamë

Për vitin 2025, qeveria ka planifikuar një dalje të re në tregjet ndërkombëtare për emetimin e një eurobondi të ri. Sipas projektbuxhetit, vlera e emetimit të vitit të ardhshëm parashikohet të jetë afërsisht 650 milionë euro. Megjithatë, kjo është një vlerë indikative dhe në varësi të kushteve të tregjeve nuk përjashtohet një emetim në vlerë edhe më të madhe.

Eurobondi i ri pritet të shërbejë pjesërisht për të rifinancuar eurobondin e emetuar në 2018 dhe që maturohet vitin e ardhshëm. Qeveria shqiptare tentoi të bënte një blerje mbrapsht (buy back) të pjesshme të këtij Eurobondi vjeshtën e kaluar, për një shumë prej 250 milionë eurosh. Megjithatë, interesimi i investitorëve për ta shitur bondin para maturimit nuk ka qenë shumë i lartë dhe përfundimisht oferta e buyback u mbyll me shlyerjen e një shumë totale prej 133.3 milionë eurosh. Pjesa e mbetur e Eurobondit 7-vjeçar të vitit 2018, prej 366.7 milionë eurosh, do të rifinancohet në maturim, në tetor të vitit të ardhshëm.

Përveç eurobondit, qeveria parashikon edhe hua të jashtme afatgjata për projekte të veçanta për afërsisht 26 miliardë lekë dhe hua për mbështetje buxhetore nga institucionet ndërkombëtare për rreth 18.5 miliardë lekë.

Megjithatë, në pjesën dërrmuese huamarrja e huaj vitin e ardhshëm do të shërbejë për shlyerjen e detyrimeve ekzistuese. Pagesat e principalit të borxhit të jashtëm parashikohen për një vlerë totale prej 103 miliardë lekësh.

Shtesa neto e huamarrjes së jashtme parashikohet në vlerën e vetëm 8.2 miliardë lekëve (rreth 84 milionë eurove)./Monitor

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.