Përse Trump bashkon politikanët në Tiranë me “veset” e tij

Nga Mero Baze Politikanët shqiptarë, të majtë apo të djathtë, janë dakord me fitoren e Trumpit, por askush prej tyre nuk do gjithçka që ka Trumpi. Secili do ato që i duhen prej Trumpit. Nëse i shikon entuziastët e opozitës që po festojnë në mënyrë qesharake fitoren e Trumpit, ata duan dhe vlerësojnë disa halle […]

Nëntor 7, 2024 - 20:00
 0
Përse Trump bashkon politikanët në Tiranë me “veset” e tij
Reklamë
Reklamë

Nga Mero Baze

Politikanët shqiptarë, të majtë apo të djathtë, janë dakord me fitoren e Trumpit, por askush prej tyre nuk do gjithçka që ka Trumpi. Secili do ato që i duhen prej Trumpit.

Nëse i shikon entuziastët e opozitës që po festojnë në mënyrë qesharake fitoren e Trumpit, ata duan dhe vlerësojnë disa halle të Trumpit që i kanë të ngjashme me hallet e tyre.

E gjithë çfarë opozitarët vlerësojnë tek fitorja e Trumpit është që ai kishte shumë procese gjyqësorë, madje dhe shpallje dënimesh, edhe prapë u zgjodh president. Fakti që ai është armik i Sorosit, si dhe faktin që u rikthye në pushtet pas skandalit të madh të 2020, kur sulmoi Kapitolin duke mos njohur rezultatin e zgjedhjeve.

Reklamë
Reklamë

Të treja këto pasqyrojnë hallet e tyre. Lidershipi opozitar në Shqipëri, i cili ka mbajtur peng opozitën për shkak të halleve të veta, tani po përballet me drejtësinë për të kaluarën e tyre korruptive. Kjo ka bërë që udhëheqësi kryesor i opozitës, Sali Berisha, të jetë nën ndjekje penale për një çështje që i është hapur, ndërkohë që një çështje më e nxehtë që ka përfunduar me vrasjen e katër qytetarëve më 21 Janar 2011 është hapur dhe po hetohet, dhe që nuk ka për t’i lënë kohë Berishës të jetë ndonjëherë i lirë deri në fund të jetës.

Pas tij, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu, që nuk janë më faktor elektoral opozitar, por janë garniturë e opozitës së Berishës, janë po ashtu në procese gjyqësore për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Adhurimi i tyre për mënyrën se si Donald Trump shpëtoi nga gjyqet duke fituar pushtet, i ka bërë ata ëndërrimtarë të mëdhenj këto 48 orë, por jo fitues të mëdhenj. Pas daljes së rakisë së dasmës, ata janë përsëri në sallën e gjyqit. Madje, ligjet që kemi bërë, kryesisht të imponuara nga SHBA dhe Trumpi kur ai ishte në pushtet, këta nuk kanë më vend në politikë pa u kthyer në procese.

Shpresa e tyre se Donald Trump do urdhërojë drejtësinë në Shqipëri për t’i amnistuar ata dhe akoma më tepër të urdhërojë edhe shtetin amerikan që të abrogojë dekretet e sanksioneve kundër politikanëve shqiptarë, është aq banale sa mjafton vetëm kjo për të kuptuar kush ka ngelur në krye të opozitës.

Arsyeja e dytë përse e duan Trumpin, që lidhet me armiqësinë e tij me trafikun e influencës politike të Sorosit në SHBA, është një betejë e shpikur me vonesë nga opozita shqiptare, kur iu mbaruan gjithë argumentet e luftës politike dhe kur konstatuan se kundërshtari i tyre, Edi Rama, ishte mik i Xhorxh Sorosit. Prej atëherë u abonuan në faqet konspirative rreth Sorosit dhe tani dinë ta shpjegojnë dështimin e tyre me fatin e Edi Ramës. Në fakt, të gjithë armiqtë e Sorosit në Shqipëri kanë qenë adhurues dhe përfitues të Xhorxh Sorosit, dhe me gjasë kanë më shumë zili si njerëz të braktisur nga Sorosi se sa një ideologji kundër tij. Por meqë dhe Trumpi e ka armik, ata nxitojnë të duken kështu aleatë me të.

Por ndërsa opozitarët shqiptarë Sorosin e kanë si arsye përse humbasin, ai ka arsye përse fiton. E vetmja gjë që ngjan fiks me Berishën është tek mosnjohja e humbjes. Aty janë vëllezër natyralë. Të dy kanë sulmuar institucionet kur kanë humbur dhe të dy deklarojnë se ata nuk humbasin, por u vjedhin vota.

E fundit që ka lidhje më shumë me Sali Berishën është adhurimi për rikthimin e Trumpit. Gjithë makthi i tyre për fuqinë për të ardhur në pushtet lidhet me konsumimin e Sali Berishës dhe moshën e tij në përpjekje për t’u bërë dhëndër për herë të tretë në moshën 81 vjeçare. Dhe këtu i ndihmon mosha dhe rikthimi i Trumpit. Por vetëm ato dyja, pa fuqinë dhe energjinë populiste të Trumpit që këta, as e kanë dhe as e njohin se cila është.

Por dhe partizanët e qeverisë së majtë, madje dhe kryeministri Edi Rama, kanë tani simpatitë e fshehura për Presidentin Trumpin, po për arsye të tjera.

Një nga arsyet përse Edi Rama e adhuron Trumpin pasi ai erdhi në pushtet mandatin e kaluar ishte arroganca dhe fuqia me të cilën ai diktoi raportet me partnerët evropianë në NATO. Beteja e tij për rishikimin e NATO-s, që bëri me dhimbje koke të gjithë liderët evropianë, dhe në fakt, zgjimi nga gjumi i tyre kundër “ariut rus” ka qenë një moment adhurimi për të, të cilën Rama e mbrojti në krah të Sekretarit të Shtetit Blinken në Tiranë, edhe pse aleat politik i tij. Si një adhurues i autoritetit dhe gjithë pushtetit, Edi Rama e ëndërron atë fuqi për vetë të vet, natyrisht në fushën e vet, jo në atë fushë ku e demonstron Trumpi.

Ai adhuron po ashtu atë që gjithë bota urren tek Trumpi, përpjekjen e tij për t’i zgjidhur konfliktet në botë si “dealer”, domethënë një lloj tregtie që i thjeshton konfliktet tek pazari mes palëve dhe jo tek parimet e lodhshme të Perëndimit apo butaforitë e Lindjes. Është në një farë mënyre, stili se ai arrin të jetë mik me Merkelin, mik me Orbánin, mik me Erdoganin, mik me Sorosin dhe mik me Macronin, të gjithë të ndryshëm dhe me armiq të qartë, por ky mik me të gjithë, thjesht duke iu ofruar vetëm atë që duan ata.

Dhe në fund, nuk mund të mos e themi që ai adhuronte Trumpin dhe huqet e tij për betejat me shtypin, përdorimin e rrjeteve sociale kundër gazetarisë tradicionale, dhe stilin elektoral të tij. Shumica e akteve të tij politike lidhen me votën dhe i adresohen një njeriu krejt të panjohur për shumicën e shoqërisë, duke ngjallur shpesh polemika, por duke vjelë vota.

Mënyra se si Rama u miqësua me të gjatë mandatit të parë, debati i tij i parue në njue mbrëmje informale në Nato me Trumpin, kur ai tregonte historinë me takimin me Kim Jong dhe imitimin e një kënge nga “The Betales” për të thyer protokollin koreanoverior të shkeljes së vijës mes dy Koreve, është tregues i veseve pjesërisht të përbashkëta të profilit të tyre politik, të cilat janë po aq të kritikueshme për botën perëndimore sa dhe veset për të cilat e pëlqejnë opozitarët shqiptarë.

Ndaj, fitorja e tij në Tiranë nuk ngjall mërzi, pasi secila palë sheh se kanë fituar disa vese të saj. Në një farë mënyre, Trumpi është i vetmi politikan në botë që bashkon Berishën dhe Ramën per nga individualiteti poltik që ka, dhe gjerësia e veseve, duke u dhëne energji te dyve, dhe duke i lënë mjaftueshëm armiq me njëri tjetrin. Ndoshta pa e ditur fare kush janë.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.