Përse Berisha nuk e shpjegon dot me patriotizëm “non grata”-n e vet dhe të familjes
Nga Mero Baze Sali Berisha ka pranuar dje gjatë një interviste televizive se dosjen e tij për “non grata” e ka përgatitur administrata e Presidentit Trump, por ai fajësoi për këtë të dërguarin special të SHBA në Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Si arsyetim pse Trump e ka shpallur “non grata” Berisha ka deklaruar faktin se […]
Nga Mero Baze
Sali Berisha ka pranuar dje gjatë një interviste televizive se dosjen e tij për “non grata” e ka përgatitur administrata e Presidentit Trump, por ai fajësoi për këtë të dërguarin special të SHBA në Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Si arsyetim pse Trump e ka shpallur “non grata” Berisha ka deklaruar faktin se ai kishte “denoncuar” zotin Palmer se e ka gruan serbe dhe për këtë Shtëpia e Bardhë kishte bërë një plan të ndante Veriun e Kosovës.
Ndryshe nga këta propagandistët e tij, u tregua i kujdesshëm dhe nuk tha që Trump-i tani do t’ia hiqte “non grata”, por ishte i gëzuar që ai fitoi.
Tani le t’i marrim me radhë logjikën e Berishës për ta justifikuar “non grata”-n e tij për shkak të patriotizmit të tij. Është i njëjti arsyetim që bëri dhe në vitin 1997 kur u fut në konflikt me SHBA. Dhe atëherë akuzoi SHBA se ishte kundër interesave të Shqipërisë.
Së pari Berisha e ka sulmuar të dërguarin special të SHBA në Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer në Shtator të vitit 2019, dhe nuk ka lidhje fare me planin amerikan për Kosovën, por me faktin që Berishës ndërkohë i ishte ndaluar viza familjarisht në SHBA. Mbesa e tij tentoi të kërkonte një vizë studenti për SHBA dhe familja u njoftua se nuk merrte dot vizë për SHBA. Pra administrata e Trump-it kishte hedhur hapin e parë jo publik për “non grata” e Berishës.
Pra ka qenë koshient që administrata e Trump-it kishte nisur procedurën për ta shpallur “non grata” familjarisht.
Shpjegimi i Berishes dje ishte se “Sorosi” kishte agjentët e tij brenda administratës Trump. Si mundet që Sorosi, ky armik i Trump-it të manipulonte administratën e Trump-it kundër një antiamerikani në Ballkan? Nëse është e mundur atëherë ai mund të vazhdojë ta bëjë përsëri dhe në këtë mandat të Trump-it, kështu që këta entuziastët pro Trump, e paskan kot festën.
Së dyti, nuk di pse Berisha quan arsye për t’u mërzitur Matthew Palmer, faktin që Berisha e ka “denoncuar” që ai e ka gruan serbe. Ai është krenar për gruan e tij, njësoj si Berisha. Të dy i kanë gratë serbe. Pse Matthew Palmer duhet të mërzitet dhe Berisha duhet të krenohet. Madje Berisha e ka vjehrrën të dokumentuar si agjente të UDB-së në Shqipëri, dhe prapë ne e kemi pranuar si udhëheqës.
Vjehrra e Berishës, Milica Nikoliç, ka lindur më 1926 në Beograd, në rrugën Bogdanovic Nr. 28, nga Dhimitër dhe Natalia Nikoliç. Ajo ka ardhur në Shqipëri më 1947 duke punuar fillimisht në aeroport si garantuese e legatës jugosllave në Tiranë për hyrje-daljet me Beogradin, dhe është denoncuar pastaj se merrte të holla dhe ushqime nga ambasada jugosllave dhe pas prishjes me Jugosllavinë. Është agjente e klasifikuar me dosje.
Pse një zyrtar amerikan, shtet mik i Shqipërisë, është më i rrezikshëm për Shqipërinë meqë ka grua serbe, më shumë sesa një njeri që ka qenë dy herë president i Shqipërisë dhe dy herë kryeministër i Shqipërisë, me grua serbe dhe vjehrrën agjente serbe në Tiranë, siç është Sali Berisha?
E them këtë për të kuptuar që Berisha nuk e ka sulmuar Palmer për lidhjet familjare me Serbinë, se ato i ka të shumfishta vetë, por thjesht për faktin se administrata e Trump-it i kishte nisur procedurën për “non grata” dhe në atë kohë Matthew Palmer ishte i dërguar special i SHBA për Ballkanin.
Për ta vazhduar më tej logjikën pa logjikë të Berishës, në këtë mandat numri 2 i administratës Trump, ambasadori Grenell, është një njeri me lidhje të afishuara me Serbinë, mbështetës i Vuçiç dhe planit për ndarjen e Kosovës, dhe njëkohësisht i afërt me familjen Berisha.
Pra Berisha nuk e shpjegon dot me patriotizëm “non grata”-n e vet dhe të familjes.
E vetmja mënyrë që mund ta lidhë me Serbinë këtë punë, është po gruaja e tij. Meqë dhe ajo është “non grata”, meqë dhe ajo është nën akuzë e përfshirë për korrupsion madhor dhe shfrytëzim të pushtetit për t’u pasuruar, ta bëjë dhe ky si Ilir Meta të distancohet prej saj ta konsiderojë agjente të Serbisë, (jo të Dumdumanit) . Pastaj është i lirë të shajë Matthew Palmer si amerikan me grua serbe.
What's Your Reaction?