Agroturizmi dhe rivitalizimi i fshatrave i shtohen bregdetit si asete të turizmit në Durrës
Në Durrës zhvillimi i agroturizmit është një tjetër aset që qyteti bregdetar shfrytëzon për rritjen e turizmit dhe që aktualisht ka marrë rëndësi, duke qenë se funksionojnë shumë subjekte të tilla, ku ofrohen produktet bio vendase. Drejtori i Turizmit në bashkinë e Durrësit, Lorenc Smajli në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se “në […]
Në Durrës zhvillimi i agroturizmit është një tjetër aset që qyteti bregdetar shfrytëzon për rritjen e turizmit dhe që aktualisht ka marrë rëndësi, duke qenë se funksionojnë shumë subjekte të tilla, ku ofrohen produktet bio vendase.
Drejtori i Turizmit në bashkinë e Durrësit, Lorenc Smajli në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se “në territorin e bashkisë së Durrësit ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe 23 bujtina dhe 10 subjekte me aktivitet agroturizmi”.
“Objektivi kryesor i bashkisë Durrës është nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe turizmit në nivel lokal, duke synuar turizmin gjithëvjetor, përfshirë këtu turizmin natyror, sportiv, kulinar, kulturor e historik, duke bërë të mundur rritjen e biznesit, si dhe duke ofruar më shumë mundësi për tërheqjen e turistëve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të qytetit të Durrësit”, theksoi Smajli.
Vitet e fundit, vijoi ai, qëllimi i bashkisë është rivitalizimi i fshatrave turistikë, si dhe krijimi i një destinacioni dhe atraksioni agroturistik, i cili i ofrohet turistëve të apasionuar pas gastronomisë, verërave, pijeve apo produkteve të tjera lokale tradicionale.
Në ferma dhe subjekte që merren me agroturizëm ofrohen produktet dhe nënproduktet e qumështit, fruta dhe perime të freskëta dhe produkte tipike shqiptare, si trahana, byrekë, tava tradicionale.
“Këto agroturizme marrin pjesë edhe në panaire të shumta, me qëllim promovimin e potencialeve gastronomike të qytetit të Durrësit dhe të fshatrave turistikë të zonës së Ishmit, Manzës, Rrashbullit etj.”, tha Smajli.
Disa nga produktet tipike të zonës së Durrësit janë: vera, rakia, ulliri dhe vaji i ullirit, lulet dhe bimët kurative, mjalti etj.
“Përkrah kantinave të mëdha me traditë në Durrës, vërejmë edhe lindjen e kantinave të vogla familjare dhe kjo sjell dhe krijimin e një komuniteti prodhuesish të vegjël artizanë, të cilët ndikojnë edhe në rritjen e punësimit në zonat rurale dhe fshatrat e qarkut të Durrësit”, theksoi Smajli.
Drejtori i Turizmit në bashkinë e Durrësit vuri në dukje se “produkt tjetër i traditës mesdhetare që prodhohet në territorin tonë është edhe vaji i ullirit. Pozicioni gjeografik dhe shtrirja territorale e qytetit të Durrësit, bën që ky produkt i lakmuar mesdhetar të ketë vendin e tij të rëndësishëm në tryezat e zonës së Durrësit dhe të jetë një produkt i vlerësuar nga turistët e huaj dhe vendas”.
“Ne po punojmë fort për të garantuar një qytet turistik evropian që ofron produkte dhe shërbime turistike sa më cilësore gjatë 365 ditëve të vitit; një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të sigurt, një qytet me më shumë investime në infrastrukturë turistike, si edhe për të përmirësuar aksesueshmërinë për të gjithë turistët vendas dhe të huaj”, tha Smajli.
What's Your Reaction?