Bie kupola e vjetër e Policisë, konkursi solli në krye emra të rinj për drejtoritë në qarqe
Drejtorët e rinj të policisë në qarqe pritet të jenë 12 emrat që rezultuan me më shumë pikë në konkurrim, kjo bazuar edhe
Drejtorët e rinj të policisë në qarqe pritet të jenë 12 emrat që rezultuan me më shumë pikë në konkurrim, kjo bazuar edhe në faktin se asnjë kandidat poshtë 70 pikëve nuk mund të emërohet në një post të tillë.
Në krye të listës është Vilson Bala, aktualisht drejtor i Operacionales pranë Drejtorisë së Përgjithshme. Bala pritet të jete kreu i ri i policisë së Tiranës duke zëvendësuar kështu Tonin Vocajn. Ky i fundit prej dy vitesh në krye të policisë së kryeqytetit, deri më tani ka mbetur jashtë listës së parë për tu emëruar sërish në drejtori vendore.
I dyti i vlerësuar sipas Komisionit është Elidon Çela i cili nga standardet profesionale të policisë, pritet që të marrë në dorë drejtimin e policisë së Beratit.
Drejtor i Menaxhimit dhe Koordinimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme, Fatmir Lleshaj pritet që të zbarkojë në Durrës, ndërsa nr 2 i policisë së Tiranës Luigj Vathi është përfolur si drejtues në Lezhë ose në Shkodër.
Një tjetër emër i mundshëm për këto dy qarqe është edhe Gentian Berberi. Ndërkohë që ende nuk është firmosur emri i kryepolicit të ri të Shkodrës, Berberi apo Vathi, sfida e parë me të cilën pritet të përballen është zbardhja e masakrës në Dobraç me katër viktima.
Një tjetër emër fitues është Altin Mena. Ish-kandidat për drejtor i përgjithshëm, duket se Mena ka siguruar një drejtori vendore ku një mundësi mbetet që ai të katapultohet drejt Elbasanit. Ndërsa Elton Allushi mund të jetë në krye të policisë së Vlorës.
Lista e re ende nuk është zyrtarizuar pasi pritet që kreu i policisë Ilir Proda të firmosë emërimet dhe ditën e enjte pritet që të bëhen publike. Ajo që bie në sy, referuar të paktën 12 emrave më të vlerësuar të konkursit, është se policia do të drejtohet nga emra të rinj duke zëvendësuar oficerët që prej vitesh kanë mbajtur poste drejtuese. /vizionplus.tv
What's Your Reaction?